
Në Bruksel po zhvillohet sot dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të mërkurën se më 27 gusht ekspertët do të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik.
Deri më tani ekspertët e të dy vendeve kanë diskutuar për çështjet e të pagjeturve të luftës, për të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Delegacioni i Kosovës në bisedimet e nivelit të ekspertëve udhëhiqet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, raporton Radio Evropa e Lirë.
Më 4 shtator pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në SHBA, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ftesë të këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare Robert O’Brein.
Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë rinisën në 27 qershor me ndërhyrjen e Bashkimit Evropian.