
Qeveria e Kosovës dhuroi 100 mijë euro për Kroacinë, e cila u godit nga një tërmet pak ditë më parë.
“Me këtë vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, rreshtohet përkrah shteteve solidare të cilat po e ndihmojnë Republikën e Kroacisë, në sanimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Kosova është e gatshme të ndihmojë Kroacinë në tejkalim të situatës së rëndë me të cilën po përballet, njofton qeveria e Kosovës.
Po ashtu, Shqipëria lajmëroi se do t’i dhurojë 250 mijë euro Kroacisë pas tërmetit të 29 dhjetorit.
Një tërmet i fortë, rreth 6,3 ballë, goditi Kroacinë qendrore, duke shkaktuar dhjetra të plagosur, 7 viktima dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesat në Petrinja, një qytet në juglindje të Zagrebit.
Tërmeti u ndje në të gjithë Kroacinë, si dhe në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinën fqinje dhe deri në Graz, në jug të Austrisë.