Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi të enjten ankesën e LSI për takimet e kreut të Bashkisë Erion Veliaj në shtëpitë e rindërtimit.
Sipas LSI, Veliaj po përdor rindërtimin për fushatë elektorale, por KQZ nuk e ka pranuar këtë pretendim.
Vendimi i KQZ i firmosur nga Komisioneri Ilrijan Celibashi, thotë se nuk ka konstatime për elemente të shkeljes së dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Më 9 shkurt 2021 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobiti kryebashkiakun Erion Veliaj për zhvillimin e aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës zgjedhore.
Gjoba ndaj Veliajt ishte 70 mijë lekë për shkeljet e mëposhtme:
- Kryerjen e aktiviteteve të ndaluara
- Mosraportimin e këtyre aktiviteteve
- Promovimin e aktiviteteve të ndaluara
Vendimi i KQZ erdhi pas denoncimit të LSI për vizitat e kryebashkiakut Veliaj në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Por më pas Veliaj e ankimoi gjobën në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve KAS, i cili e rrëzoi gjobën e KQZ.
KQZ miratoi një vendim mbi aktivitetet e ndaluara, ku përcaktohet se vizitat në shtëpitë e rindërtuara janë të ndaluara përveç rasteve kur fondet ose projekte kanë filluar përpara periudhës së ndaluar.