Kriza ekonomike nga Covid-19 do të jetë më e rënda e 100 viteve të fundit

Nga Exit News
Kriza ekonomike nga Covid-19 do të jetë më e rënda e 100 viteve të fundit

Pandemia e koronavirusit do të shkaktojë në ekonominë globale një krizë më të thellë se ai i vitit 1929 që njihet dhe si Depresioni i Madh, recesioni më i madh i shekullit të kaluar.

Këtë deklaratë bëri drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva, mbrëmjen e 9 prillit.

Ajo njoftoi se FMN-ja do të publikojë një parashikim të azhurnuar ekonomik botëror të martën, 14 prill, që do të tregojë se sa shpejt shpërthimi i koronavirusit e ka kthyer atë që pritej të ishte një vit i qëndrueshëm i rritjes ekonomike në një rënie dhe shkatërrim të thellë.

Vendet në zhvillim dhe vendet me të ardhura të ulëta në të gjithë botën janë në rrezik më të madh, tha ajo.

Georgieva tha se nuk ka dyshim se viti 2020 do të jetë një vit “jashtëzakonisht i vështirë”. Ajo tha se nëse pandemia zvogëlohet në gjysmën e dytë të vitit, duke lejuar heqjen graduale të masave të kontrollit dhe rihapjen e ekonomisë globale, FMN po parashikon një rimëkëmbje të pjesshme në vitin 2021.

“Me dobësimin edhe më shumë të sistemeve të dobëta shëndetësore, shumë  vende do të përballen me sfidën e tmerrshme për të luftuar virusin në qytete me popullsi të dendur dhe zonatë varfëra, ku distanca sociale nuk është aspak e mundëshme,” tha Georgieva, duke iu referuar veçanërisht vendeve të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë.

Investitorët janë të frikësuar se kanë investuar paratë e tyre në ekonomitë në zhvillim, të cilat mund të goditen rëndë nga ky recesion global. Si rezultat, vetëm në dy muajt e fundit, daljet e kapitalit nga vendet në zhvillim kanë arritur më shumë se 100 miliard dollarë, më shumë se tre herë më të mëdha se e njëjta periudhë në fillimin e krizës globale financiare.

Për më tepër, vendet që varen nga mallrat eksportuese kanë marrë një goditje të dyfishtë për shkak të rënies së madhe të çmimeve të mallrave.

“Theksoj se ka një pasiguri të jashtëzakonshme rreth perspektivës për të ardhmen. Situata mund të përkeqësohet në varësi të shumë faktorëve të ndryshueshëm, përfshirë kohëzgjatjen e pandemisë”, u shpreh Georgieva.

Ajo tha se FMN dhe Banka Botërore do të diskutojnë në takimet virtuale të javës së ardhshme një marrëveshje për të miratuar ndalesën e pagesave të borxhit gjatë vitit të ardhshëm nga kombet më të varfra në botë, duke çliruar kështu para që këto vende mund t’i përdorin për nevoja kritike shëndetësore.

Ajo gjithashtu shtoi se FMN-ja është e gatshme të angazhojë 1 trilion dollarë në formën e huadhënies për të ofruar mbështetje për kombet që kanë nevojë për ndihmë në trajtimin e pandemisë.

“Ne jemi duke iu përgjigjur një numri të paparë të thirrjeve për financim urgjent nga mbi 90 vende deri më tani,” tha ajo.

Bordi ekzekutiv i FMN-në ka rënë dakord të dyfishojë nivelet e kredisë që mund t’i lejojë FMN-së të sigurojë rreth 100 miliardë dollarë financim për vendet me të ardhura të ulëta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>