“Unë jap dorëheqjen nga Bashkia, nëse Bashkia ka harxhuar lekë [për koncertin e Ermal Metës dhe Rita Orës]. Bashkia e Tiranës, thesari është online, ka harxhuar 0 lekë, 0 qindarka.”
Kështu deklaroi Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, në përgjigje të zërave se bashkia ka financuar me mijëra euro koncertet e zhvilluara më 2 dhe 3 qershor në Tiranë.
Pavarësisht deklaratave të Zotit Veliaj se zyrtarisht bashkia nuk ka paguar për koncertet, po ju risjellim në vëmendje një pjesë të artikullit të Exit.al, shkruar pak ditë më parë, që tregon se si në mënyrë indirekte, përmes shkeljeve në rregullat e tenderimeve publike dhe tenderëve të dyshimtë e me shifra të fryra, koncertet janë paguar nga taksapaguesit e Tiranës, dhe në këto organizime është përfshirë dhe kompania Gogël e të vëllait të kryebashkiakut Veliaj.
“Sipas Hashtag.al, konfirmuar nga Exit.al, kompania Albtelekom pagoi 200 mijë euro për organizimin e koncertit të këngëtares Rita Ora dhe i gjithë ky fond iu kalua kompanisë Gogël të vëllait të kryebashkiakut Veliaj.
Duket si një gjest bamirës nga Albtelekom, por në fakt janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptare të ardhura nga Bashkia Tiranë.
Nga marsi 2017 deri tani, Bashkia Tiranë i ka paguar Albtelkomit rreth 450 mijë euro dhe deri në fund të vitit shuma do të arrijë në 680 mijë euro për shërbim interneti dhe intraneti (rrjetin e brendshëm që lidh institucionet e Bashksisë).
Është një shumë maramëndëse për shërbim internet. Exit.al kontaktoi disa nga ofruesit kryesorë të internetit në Tiranë, të cilët ofrojnë shërbim për institucionet më të mëdha publike dhe private në vend, përfshi bankat. Nga ky hulumtim i shpejtë është e qartë se Bashkia Tiranë paguan të paktën 4-5 herë vlerën e tregut për shërbimin që merr.
Ajo që duhet theksuar është se pagesat për Albtelecom janë bërë përmes kontratave me negocim, pa asnjë njoftim paraprak për nevojën e shërbimit—rreth €180 mijë euro janë dhënë në kontrata të tilla,—ndërkohë që kontratat e tjera janë dhënë me tender të organizuar me mënyrën tashmë tipike të rasteve me fitues të paracaktuar: kompanitë e tjera në tender ose nuk paraqesin ofertë ose skualifikohen për mos plotësim të kushteve teknike, duke e lënë fituesin të vetmin konkurrent në garë.
Nga të dhënat e bërë publike nga Open Data Albania, në një viti, nga mars 2017-shkurt 2018, Bashkia Tiranë ka paguar Albtelecom për shërbimet e mëposhtme (nuk përjashtohet mundësia që mes Bashkisë dhe Albtelecom të ketë kontrata dhe pagesa të tjera që nuk janë bërë publike përmes thesarit të shtetit):
– Më 25 maj 2017, Bashkia Tiranë lidhi kontratë me negocim pa botim paraprak për shërbim internet me vlerë rreth 7,5 milionë lekë, pra rreth €56 mijë.
– Më 7 gusht 2017, Bashkia Tiranë lidh një tjetër kontratë me negocim pa botim paraprak, me Albtelecom të njejtën vlerë prej 7,5 milionë ose rreth €56 mijë.
– Më 20 tetor 2017, Albtelecom fitoi tenderin për furnizimin me internet të Bashkisë Tiranë me vlerë 21 milionë lekë, afërsisht €157 mijë, për 167 ditë, pra afërsisht 126 mijë lekë ose gati 1 mijë euro në ditë.
Në tender morën pjese 3 kompani—Abcom sha, Albtelecom sha dhe Telekom Albania sha. Sipas formulës tashmë standarde të korrupsionit me tendera, një kompani nuk paraqiti ofertë ndërsa Telekom Albania sha nuk plotësi kushtet teknike. Si rezultat, Albtelecom u shpall automatikisht fitues e tenderit.
– Dy muaj më pas, më 29 dhjetor 2017, Bashkia Tiranë miratoi shtesë kontrate: “Blerje shërbim interneti për Bashkinë e Tiranës” me Albtelecom me vlerë 1,4 milionë lekë për kontratën e lidhur më 20 tetor 2017,me vlerë rreth 21 milionë lekë (mbi €100 mijë). Kjo shtesë është e paligjshme pasi ligji lejon shtesë kontrate vetëm në masën 20 për qind mbi vlerën e kontratës, ndërsa në këtë rast shtesa është rreth 67 përqind. Për më tepër shtesat e kontratave bëhen vetëm në raste të veçanta që lidhen me ndryshimet e kushteve të tregu, vështirësi natyrore dhe specifikla të caktuara.
– Më 26 janar 2018, kompania Albtelekom ka fituartenderin për shërbim me internet për Bashkinë Tiranë për periudhën shkurt- dhjetor 2018, me vlerë 39 milionë lekë, afërsisht €291 mijë, përsëri afërsisht 1 mijë euro në ditë.
– Edhe pse tre ditë më parë kishte organizuar për marrjen e shërbimit internet për periudhën shkurt-dhjetor 2018, më 29 janar 2018 Bashkia Tiranë lidh kontratë me negocim me Albtelecom me vlerë rreth 5,4 milionë lekë (afërsisht €40 mijë).