Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi i bëri sot thirrje qytetarëve të reagojnë kundër keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë konventës së LSI-së, zonja Kryemadhi tha se endi është në krizë të thelle ekonomike dhe politike, ndaj viti 2020 duhet të jetë viti i rezistencës:
“Viti që sapo kemi hyrë, 2020, do të jetë viti i rezistencës dhe fitores së padiskutueshme në përballjen tonë me klanin e tradhtarë të interesave kombëtare, me grupet e hajdutëve të votave, me uzurpatorët dhe shkatërruesit e ekonomisë së vendit, me krimin që ka fytyrën e Rilindjes sepse ne sot jemi shumica absolute e padiskutueshme e shqiptarëve.”
Ajo ftoi të gjithë të rinjtë që duan të angazhohen në politikë t’i bashkohen LSI-së pasi aty do të mund të garojnë për tu përfshirë edhe në listat e deputetëve:
“Dyert e LSI-së për të garuar janë të hapura për të gjithë ata vajza dhe djem dhe duan të kontribuojnë për ringritjen e demokracisë. Nën dritën e dekadës së re e ofrojmë për të gjitha ata që duan të përfshihen në listat e partisë, për të garuar dhe për t’u bërë pjesë me angazhimin dhe kontributin e tyre nga kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie, për këshilltarë, anëtarë në komisionet politike pranë LSI, të forumeve drejtuese apo të konkurrojnë për drejtues të degëve në të gjithë Shqipërinë.”
Zonja Kryemadhi njoftoi se që sot LSI-ja do të rifillojë aksionin politik, por nuk dha sqarime nëse opozita do të zhvillojë protesta apo do të ndjekë një rrugë tjetër opozitarizmi.
Ajo akuzoi Kryeministrin Rama se me planet e tij për mini-shengenin Ballkanik po tregon se është anti-shqiptar:
“Sjellja e tij ndaj Kosovës, është qartësisht antishqiptare: nuk mund të quhet ndryshe një politikë paternaliste ndaj Kosovës kur ky shtet i ri po forcon reputacionin e tij ndërkombëtar, nuk mund të quhet ndryshe promovimi i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të quhet ndryshe angazhimi në nisma rajonale, jo-transparente, pa qëllime e objektiva të qarta, si e ashtuquajtura Mini-shengen, duke përjashtuar dhe tradhëtuar Kosovën.”