Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi se LSI është e para parti në vend që organizon zgjedhjet e brendshme përmes votimit online.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi theksoi se pjesëmarrja në zgjedhjet e brendshme ishte e lartë, pavarësisht pandemisë, sepse anëtarëve iu mundësua dhe votimi online:
“Risia e këtyre zgjedhjeve ishte votimi online, një aplikacion i cili u ideua, u dizajnua dhe u programua nga djem dhe vajza specialistë të LSI-së, të cilët na ofruan një votim online, në një pjesëmarrje goxha të madhe.
Sigurisht që ajo që na bën më shumë entuziastë është pjesëmarrja goxha e madhe edhe e votuesve që janë jashtë Shqipërisë, sidomos ata që janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, në Greqi, në Itali dhe në Gjermani.”
Kryemadhi tha se kjo situatë, ku qytetarët mezi presin të votojnë,i paraprin votimeve të 25 prillit:
“Procesi ishte në një farë mënyrë një provë gjenerale e Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit. Fryma që u krijua në këtë proces, jo vetëm që do të mbahet, por do të vijë duke u shtuar çdo ditë e më shumë, përsa i përket strukturave të LSI-së, por mbi të gjitha përsa i përket hartimit dhe organizimit të programit të LSI-së për të vajtur drejt një procesi përfundimtar siç janë zgjedhjet e 25 prillit.”
Të shtunën, rreth 44 mijë anëtarë të LSI-së votuan dhe rikonfirmuan në krye të partisë Monika Kryemadhin.