Në vend të monologut të përjavshëm të së dielës, Kryeministri Rama publikoi dje “Shënimin e ditës”. Me anë të një teksti të shkurtër, kryeministri njoftonte regjistrimin e “skuadrës së re” të Partisë Socialiste që është gati për të “nisur finalen e madhe të këtij mandati”. Krahasimi me sportin nuk është i rastësishëm: përveç babtutave të vazhdueshme të Kryeministrit për skuadrën e tij Juventus, PS ka zgjedhur për himn të fushatës zgjedhore këngën “This one’s for you Albania”, këngë e përdorur gjatë kampionatit evropian të futbollit në 2016-ën.
Pjesa tjetër e “Shënimit të Ditës” ishte një apel i fundit për opozitën dhe Lulzim Bashën për t’ju bashkuar zgjedhjeve megjithëse negociatat e javës së kaluar nuk ishin të suksesshme:
Por ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar. Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjësimit.
Unë vazhdoj ta kem thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë.
Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit.