Kryeministri Rama i bën opozitës oferta boshe

Kryeministri Rama i bën opozitës oferta boshe

Kryeministri Rama sqaroi sot detajet teknike të ofertës së tij për Partinë Demokratike, me qëllim dhënies fund të bojkotit të opozitës dhe futjen e tyre në zgjedhjet e qershorit.

Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët, Zoti Rama tha se Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dy ditë kohë të pranojë ofertën që përmban këto pika:

  • PD mund të propozojë një emër, jo anëtar të PD, për postin e ZëvendësKryeministrit, i cili të vihet në krye të një taskforce së bashku më përfaqësues të SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së, me funksion monitorimin e sjelljes së institucioneve shtetërore gjatë fushatës (shpërdorimin e naftës, përdorimin e nëpunësve të administratës)
  • PD mund të propozojë një emër, jo anëtar të PD, për postin e Zëvendësministrit të Brendshëm, që së bashku me shefin e Misionit amerikan, evropian dhe përfaqësues të OSBE-së, të monitorojë sjelljen e policisë së shtetit gjatë fushatës.
  • PD mund të propozojë një emër, jo anëtar të PD, për postin e Ministrit të Shtetit për Teknologjinë, i cili të pregatisë një projekt qeveritar për numërimin elektronik, votimin elektronik, që nëse është i pranueshëm nga OSBE-ODHIR, do të financohet nga qeveria për në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Kryeministri Rama theksoi për të disatën herë se ai nuk do të japë dorëheqjen dhe se data e zgjedhjeve nuk do të shtyhet.

Qendrimi dhe propozimet e Kryeministrit Rama kanë ndryshuar nga ato të 25 prillit, gjatë negociatave më David McAllister dhe Knut Fleckenstein, ku Zoti Rama:

  • Lëshonte katër ministra kyç të qeverisë për të emëruar katër persona teknikë;
  • Pranonte shtyrjen e datës së zgjedhjeve për në 16 korrik;
  • Pranonte zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit;
  • Pranonte kalimin e postit të Kryetarit të KQZ tek opozita, por mbajtjen e shumicës nga maxhoranca.

Së pari, duket se zgjedhja e Ilir Metës President dhe sigurimi i futjes së LSI-së në zgjedhje ka bërë që Kryeministri Rama të forcojë më shumë pozitat e tij, duke hequr fare nga diskutimi disa nga ofertat e mëparshme. Ky fakt u vu re dhe gjatë bashkëbisedimit, kur kryeministri deklaroi:

“Saliu dhe Lulzimi, Saliu në radhë të parë si shahist i vjetër, duhet të kuptojë se ajo që ishte në tavolinë një javë më parë, nuk është më. Kur kishe gur për të ngrënë dhe se hëngre se doje të haje mbretëreshën, s’ka më kohë.”

Së dyti, asnjë nga propozimet e reja të Zotit Rama nuk i përgjigjen kërksave të opozitës për dorëheqjen e Ramës, formimin e qeverisë teknike dhe votimin elektronik,  dhe akuzave të opozitës për kanabizimin e vendit dhe kapjen e shtetit nga bandat kriminale.

E së treti, nga shpjegimi teknik që Kryeministri Rama i bëri ofertave të tij del qartë se edhe nëse opozita do t’i pranonte, gjithçka që ajo do të mund të bënte do të ishte vetëm monitorimi. Pra, de facto opozita dhe përfaqësuesit ndërkomëbtar nuk do të mund të kishin asnjë ndikim në përmirësim të kushteve të votimit, në sigurimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme e të pandikuara forca të tjera.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>