Kryeministri Edi Rama firmosi sot peticionin për vetingun në çadrën e ngritur nga Partia Socialiste në Parkun Rinia. Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kërkesën e opozitës për qeveri teknike.
Zoti Rama tha se ishte i gatshëm të bisedonte me opozitën për gjithçka, përveç qeverisë teknike.
“Ne jemi gati të dëgjojmë dhe propozimet konkrete të opozitës. E vetmja gjë [qeveri teknike] që nuk bisedojmë dot. Mund ta bisedojmë por nuk vendosim dot ne , ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Sovrani vendos kush është në qeveri apo opozitë. Kjo punë është ndarë, dhe ne jemi në zbatimin e një kontrate që nuk ka skaduar akoma”, — u shpreh Kryeministri Rama.
Gjithashtu, Kryeministri tha se arsyeja e protestës së PD-së është vetingu.
“Në çadër mund të qëndrojë për arsye të tjera por jo për vetingun. Megjithatë vetingun nuk e ndal dot askush. Ju siguroj për këtë. Vettingut dhe reformës në drejtësi i ka ardhur koha dhe nuk e ndalon asnjeri”, — tha Zoti Rama.