Kryeprokurorja Arta Marku po organizon sot Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve gjatë së cilës do të zgjidhen gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë-së.
Në mbledhje marrin pjesë 293 prokurorë nga 305 prokurorë në gjithë sistemin e drejtësisë.
Në garë për 6 vende në KLP janë 10 prokurorë:
– Për një vend nga Prokuroria e Përgjithshme kandidojnë: Kosta Beluri, Anila Leka;
– Për dy vende nga prokuroritë e Apeleve kandidojnë: Bujar Sheshi, Arben Dollapi;
– Për tre vende nga rretheve kandidojnë: Besnik Cani, Gentian Osmani, Besnik Muçi, Vate Staka, Dritan Prençi dhe Antoneta Sevdari.
Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, Arta Marku e ka thërritur Mbledhjen e Prokurorëve edhe pse prokurorët kandidatë nuk kanë përfunduar ende procesin e vetingut në të dy shkallët siç është përcaktuar me Kushtetutën dhe Ligjin e Verifikimit – shkalla e parë është verifikimi i kandidatëve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe shkalla e dytë verifikimi i tyre nga Këshilli i Posaçëm i Apelit (KPA).
Mes 10 prokurorëve kandidatë, Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit tre prej vendimeve të KPK-së për të konfirmuar në detyrë prokurorët Antoneta Sevdari, Gentjan Osmani dhe Besnik Muçi.
Prokurorët Adriatik Cama dhe Elsion Sadiku, të shkarkuar ngë KPK, e kanë apeluar shkarkimin në Kolegjin e Apelimit dhe presin ende vendimin e KPA-së, por tashmë janë përjashtuar nga gara për një post në KLP.
Për më tepër, vendimet formale të KPK-së në lidhje me Ramadan Trocin, Shpëtim Kurtin, dhe Besnik Canin ende nuk janë bërë publike, që do të thotë se ka shumë gjasa për apelime të tjera.
Kështu, vendimi i Kryeprokurores Marku për të mbledhur Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve për të zgjedhur anëtarët e KLP-së nuk është vetëm vendim i debatueshëm për nga ligjshmëria e tij(dhe çështje që është aktualisht e pamundur të zgjidhet), por duke zgjedhur këtë rrugë—me sa duket nën mbështetjen e ambasadorëve të BE-së që vazhdojnë t’i japin përparësi përfitimeve afatshkurtra politike në kurriz të shtetit së drejtës në Shqipëritë—ekziston një rrezik serioz i formimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, me anëtarë që nuk e kanë kaluar plotësisht procesin e rivlerësimit.