Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç e quajti një lajm të mirë nisjen e gjyqeve në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Duke folur në një konferencë për median në Beograd, Daçiç u shpreh se gjykata Speciale në Hagë u themelua pikërisht për këtë, për të hetuar ‘krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo vetëm kundër popullit serb, por edhe kundër qytetarëve të kombësive të tjera, përfshirë shqiptarët e Kosovës.
Daçiç theksoi se ‘të gjithë që kanë kryer krime, duhet të mbajnë përgjegjësi’.
Pak orë më parë, gjykata speciale në Hagë ka njoftuar se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të kenë seancën e tyre të parë publike para gjykatës përkatësisht në 10 dhe 11 nëntor.
Ndërsa më herët u njoftua se paraqitja fillestare e Thaçit do të jetë të hënën, 9 nëntor, në ora 15:00, pas asaj të Jakup Krasniqit në orën 11:00 të së njëjtës ditë.
Seancat dëgjimore do të jenë publike, do të transmetohen në internet dhe mund t’i ndiqni këtu.
Prokuroria i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga marsi 1998 deri në shtator 1999, gjatë luftës në Kosovë.