Kryetari Veliaj tallet me qytetarët duke i përfshirë në vendimmarrje “jetike”

Kryetari Veliaj tallet me qytetarët duke i përfshirë në vendimmarrje “jetike”

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi sot se festimet për Ditën e Verës, 14 mars, do të shtyhen për ditën e dielë, më 17 mars, për shkak të parashikimeve për motin e keq.

Për të marrë këtë vendim, me sa duket jetik, Erion Veliaj ndërmori një veprim që e ka për detyrë, por nuk e ka bërë kurrë më parë: ftoi qytetarët të jepnin mendimin e tyre përmes votimit në një sondazh të postuar në llogaritë e tij në Facebook, Twitter dhe Instagram.

Sot, po me një postim tjetër në rrjetet sociale, Veliaj deklaroi me entuziazëm se festimet do të shtyhen për ditën e dielë dhe se për këtë “shumica vendosi”. Madje, i befasuar nga pjesëmarrja e lartë e qytetarëve në sondazh, Veliaj shkruan:

“Duhet ta bëjmë më shpesh këtë! Në të tre rrjetet sociale TwitterFacebook dhe Instagram mbi 10,000 vetë morën pjesë në votim!”

Që prej ardhjes në krye të Bashkisë Tiranë, në vitin 2015, Erion Veliaj nuk ka marrë mendimin e qytetarëve për asnjë prej vendimeve të tij si kryebashkiak, shumica vendime që ndikojnë drejtëpërsëdrejti në jetën e qytetarëve. Madje ai nuk e ka bërë as për ato vendime për të cilat ai ka detyrim të qartë ligjor të informojë dhe të përfshijë publikun në vendimmarrje.

Lista e këtyre vendimeve është e gjatë, por ne po sjellim vetëm pak prej tyre si shembull të qasjes shpërfillëse të Zotit Veliaj.

Në shkurt 2016, Kryebashkiaku Veliaj urdhëroi nisjen e punimeve në Parkun Artificial të Liqenit për ndërtimin e një këndi lojërash, për të cilin nuk zhvilloi asnjë dëgjesë publike, sikurse e kërkojnë ligjet e vendit, përfshi Konventën e Aarhusit, ku është palë edhe Shqipëria.

Në dhjetor 2016, për miratimin e planit të ri të zhvillimit të Tiranës, Masterplanin Tirana030 — dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit për vitet e ardhshme — Kryebashkiaku Veliaj nuk organizoi dëgjesa publike, ku të informonte qytetarët dhe të këshillohej me ta. Bashkia Tiranë organizoi një takim me arkitektë e urbanistë një javë përpara se plani të miratohej, pra kur nuk kishte më asnjë mundësi për të bërë ndryshime, por edhe ky takim nuk plotësoi kushtet minimale për të siguruar pjesëmarrje të vërtetë dhe produktive të publikut, siç Exit.al ka shpjeguar më parë këtu.

Kryebashkiaku, që nuk harron të promovojë në rrjetet sociale edhe veprimet e projektet më të parëndësishme të administratës së bashkisë së tij si, për shembull, fotot për nisjen në punë të pastruesve të rrugëve të turnit të natës, foto nga ndërrimi i llampave të ndriçimit, apo foto të secilës pemë që mbjell, çuditërisht nuk ndau me qytetarët asnjë dokument zyrtar për planin zyrtar të kryeqytetit.

Më 31 dhjetor 2016, Masterplani, pjesë e reformës territoriale, u miratua në shkelje të ligjit për Njoftimin dhe Konsultimin Publik.

Sërish në vitin 2016, për prishjen e Stadiumit Qemal Stafa dhe ndërtimin e stadiumit të ri Arena Kombëtare, punonjësit e bashkisë larguan me forcë nga salla, ku Bashkia njoftoi se do të organizonte një “dëgjesë publike”, njërin nga zërat më kritikë ndaj projektit të stadiumit, Fatos Lubonjën, si dhe të tjerë përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe për këtë projekt Bashkia Tiranë nuk i zbatoi detyrimet ligjore, që rrjedhin nga Ligji për Njoftimin e Konsultimin Publik dhe nga Konventa Aarhus.

Për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit të dhjetëra kullave në Tiranë—përfshi, kullën 40 katëshe Downtown tek ish-këndi i lojërave 7 Xhuxhat; kullat Bllok dhe West Residence, të dyja tek zona e ish-Bllokut; kullën Book Building pas Bashkisë Tiranë; kullën MET Building Tirana mes Katedrales Katolike dhe ish-Hotel Dajtit; kullën 35 kate pas Hotel Tiranës; kullën Tirana’s Rock në krah të Hotel Tiranës; kullën 21 katëshe Pylli Vertikal pas stadiumit të ri kombëtar; kullën 26 katëshe Syri i Tiranës, në pjesën perëndimore të Sheshit Skënderbej; kullën 24 katëshe Garden Building–Kryebashkiaku Veliaj jo vetëm që nuk ka zhvilluar dëgjesa publike, siç ia detyron ligji, por ai as nuk ka bërë asnjë deklaratë të vetme ku të përmenden ndërtimet e reja në Tiranë.

Vetëm gjatë vitit 2018, për dy projektet shumë të diskutuara dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e qindra familjeve: prishja e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimi i gjashtë kullave dhe një teatri të ri nga kompania Fusha shpk, dhe ndërtimi i Unazës së Madhe tek zona e Astirit, Kryebashkiaku Veliaj ka refuzuar me arrogancë që t’i informojë dhe përfshijë qytetarët në vendimmarrje.

I njëjti Kryebashkiak, kur flitet për organizimin festash—të cilat, sipas motos “cirk dhe bukë, janë element i rëndësishëm i propagandës së Bashkisë Tiranë—  shfaqet “krenar” që përfshiu në vendimmarrje qytetarët, duke deklaruar se do ta bëjë më shpesh këtë gjë.

Mbetet për t’u parë nëse Kryetari Veliaj do t’i kthehet zbatimit të ligjeve, që e detyrojnë atë t’i përfshijë qytetarët në vendimmarrjen për zhvillimin e qytetit, apo do të vazhdojë të luajë sërish me sondazhe të rreme për t’ia lënë qytetarëve të “vendosin” se kur i leverdis propagandës së tij të festojë dhe të shkrepë foto në krah të fëmijëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>