Kur gjykojmë qeverinë

Nga Andon Dede
Kur gjykojmë qeverinë

Para se të ndalem konkretisht tek tema, jo pa qëllim, dua të hap një parantezë të vogël. E fillova këtë shkrim menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, 2013. Të jem i sinqertë me lexuesin, nuk kisha besim fare se ardhja e të ashtuquajturve “rilindas”, në pushtet, me Ramën në krye, do të sillte ndonjë ndryshim për mirë.

E kisha këtë mendim jo pa baza: nuk më pëlqenin fare fjalimet e kryerilindasit dhe mllefi i tij ndaj kundërshtarëve, sikur ky të vinte nga ndonjë planet tjetër e të mos njihej nga tërë ne, si ish-kryetar bashkie i kryeqytetit e i betonizimit të tij të pamëshirshëm e që, më pas, u katapultua në krye të PS-së, ndonëse nuk e lidhte me të absolutisht asgjë, por kjo është një temë tjetër.

“Mos të nxitohem në vlerësime, thashë me vete, mbase karrigia e kryeqeveritarit mund të na prezantojë një Ramë tjetër”. Dhe e bëja këtë jo për të mbrojtur atë apo qeverisjen e tij, por veten time: ne harrojmë se për çdo gjë që shkruajmë e botojmë, gjykohemi nga ata që mund të na lexojnë.

Të paktën unë, i druhem shumë një vlerësimi të tillë dhe përpiqem, me aq sa i kam mundësitë, të jem sa më objektiv. Këtë e kam pasur si parim gjithmonë, për më tepër tani që, siç kuptohet lehtë, nuk më lidh absolutisht asnjë interes me ata që vijnë e ikin nga pushteti në Tiranë. Tani le të hyjmë në temë.

Fitoi Rama, e çë pastaj?!

Po kthehesha nga puna, si zakonisht, dhe kisha zënë vend aty nga mezi i një vagoni të subuejit, kur dëgjoj se dikush po më fliste: “Urime për zgjedhjet!”. I dhashë një buzëqeshje të lehtë, sa për mirësjellje e, pse jo, edhe për të mos ia zgjatur. Nuk kisha ndonjë shoqëri e aq më pak miqësi të madhe me të. Po ku tërhiqej ai. Ishte nga ata tipa që, siç thotë Cvajgu, duan si e si të të rrëmbejnë një përshëndetje: “Si, nuk t’u bë qejfi? Fitoi Rama, PS-ja, e majta…”.

“Fitoi Rama, e ç’ë pastaj?! Pluralizmi i ka këto, herë fiton njeri e herë tjetri…”. “More këto i di dhe unë, por ama njeriu ka dhe bindje apo ideologji, si të thuash, me dikë do të jetë, do apo nuk do ai. Bashkë nuk njihemi shumë por, me aq sa kam kuptuar, ti je i majtë, ndaj dhe të urova…”.

“Hej dreq o punë, thashë me vete, po ky kështu?! Do me çdo kusht që të prononcohem”. “Mbase nuk ke gabuar, ia ktheva, por kjo nuk do të thotë se jam me PS-në e Shqipërisë. Ajo për mua nuk është e majtë, siç nuk është e djathtë as PD-ja. Ato janë dy grupime politike që u pozicionuan kundra njera tjetrës, ndofta fare rastësisht”.

“Po mirë, e zëmë se është ashtu. Po për ndryshimin apo rrotacionin, siç i thonë, nuk je?”. “Për mua, kjo që ndodhi nuk është rrotacion por thjesht një rokadë, nga e cila nuk pres ndonjë ndryshim. E kam fjalën për të mirën e popullit dhe të vendit, se ndryshime do të ketë: do të largohen nga puna militantët e PD-së e do të zevendësohen me të PS-së. Po pse, për të tilla ndryshime ka nevojë Shqipëria?”.

Nuk ia zgjata më. Shyqyr Zotit  dhe ai nuk e vazhdoi më gjatë. Thashë se shpëtova nga diskutimet për politikën e sotme që na e ka sjellë në majë të hundës. Por, s’qe e thënë. Kur do të ndërroja trenin, në atë rrëmujë të madhe e kakofoni shurdhuese, në Grand Central, ku nuk e njeh as qeni të zonë, dalloj dikë që po më drejtohej mua: “Miku im, keq më vjen por fituam…”.

“E ç’ë pastaj? Mos e ke gabim,- i thashë, – nuk fitove gjë as ti dhe as populli, por Rama me ata që i  venë pas. Mos mendon se do  të bëjë çudira?”. “A e dëgjove apo a e lexove fjalimin e tij? Qe diçka orgjinale që s’e kishim dëgjuar më parë…”. “Po pse, për fjalime jemi keq ne?” – s’mu durua e ia preva fjalën. Ai u prish në fytyrë e u bë gati të shpërthente ndaj meje, por unë nuk  e lashë: “Pash Zotin, a ke ndonjë muhabet tjetër se nuk dua të dëgjoj më për politikë!”

I dhashë një përshendetje të ftohtë dhe iu drejtova trenit tim. Doja sa më parë të mbërrija në shtëpi, se mos më dilte ndonjë qejfli tjetër muhabetesh politike. Por, nuk shpëtova dot. Në trenat e autobuzët e Nju Yorkut rrallë më ka ndodhur që të mos përballem me shqiptarë, mirëpo kësaj radhe, duhet ta pranoj se rashë vetë brenda. Sa hyra në trenin e Metro Northit e po kërkoja një vend për t’u ulur, shoh diku një mikun tim të vjetër. Ai s’e kishte mëndjen fare tek unë. Dukej i mërzitur apo edhe më keq, sikur t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Po shihte jashtë dritares apo më mirë të them, bënte sikur shihte se lehtësisht e kuptoje që nuk e kishte hiç mendjen tek gjithë sa i shpërfaqej përpara. Mund të kisha kaluar pa i folur, por më dukej se bëja mëkat, tek e shihja aq të brengosur. Dhe i fola.

Pas përshëndetjes së zakonshme e pyeta pak si me drojtje, se mos e shqetësoja: “Më fal që po të them, por nuk po më dukesh në humor të mirë…”. “E si mund të jesh në humor të mirë, shpërtheu ai, kur mendon se Rama do të bëhet kryeministër!” “E ç’ë pastaj, ç’të keqe ka?” – përsërita unë, si për ta qetësuar. Por ai, që me sa kuptova mezi po priste dikë që të shfyhej, pasi më pa hetueshëm, nëse e kisha me gjithë mend apo bëja shaka, vazhdoi: “A e njeh se kush është ai? Harrove se ç’i punoi Tiranës sa qe kryetar bashkije…

Dëgjomë mua: ai nuk është njeri normal, por një aventurier, një megalloman, një arrogant, një skizofren, një i korruptuar kokë e këmbë…”. Kuptohet se kisha përballë të kundërtin e optimistëve të mësipërm. Për të mos e zgjatur, edhe pse nuk po i dëgjoja për herë të parë epitete të tilla për kryeministrin e ardhshëm, u përpoqa ta qetësoja sadopak, duke e trajtuar problemin në përgjithësi, se jo gjithçka varet nga kryeministri e të tjera llafe si këto, sa për të kaluar kohën para se të ndaheshim.

Përparësitë

Në çdo punë që bëjmë apo biznes në përgjithësi, aq më tepër kur është fjala për veprimtarinë e qeverisë, rëndësi të madhe kanë përparësitë apo prioritetet, siç jemi mësuar t’i dëgjojmë apo lexojmë.

Ndaj dhe unë, si tërë bashkëkombësit e mi, ma merr mendja, po prisnim të shihnim e të dëgjonim prej kryeministrit të ri këto përparësi: nga do t’ia niste e ku do fokusonte më tepër. Por, ç’të shohim? Ndryshe nga ç’prisnim, ai po merrej me të tjera gjëra që as  nuk na kishin shkuar në mendje: të na tregonte si ia kishte lënë mjediset e kryeministrisë para-ardhësi, përmes fotogarfive gjë që, as më shumë e as më pak, na kujtoi ato gratë e liga që kur shkojnë për vizitë diku, kontrollojnë me gisht tek mobiljet, nëse i ka marrë pluhurat e zonja e shtëpisë apo jo. Nuk besoj se ky veprim i piktor-kryemnistrit tonë i ka lënë dikujt ndonjë shije të mirë.

Bëmë sikur nuk e vumë re, duke pritur se ç’do të bënte më tej, si hap të dytë: hoqi nga zyrat portretin e presidentit, ndonëse atë e gjen të varur në çdo zyrë të botës, të paktën me aq sa jam në dijeni unë. Kjo nuk ka fare rëndësi, edhe mund ta hiqte apo ta zëvendësonte por, problemi shtrohet: a duhet të përbënte përparësi në atë fillim qeverisjeje?!

Vazhdojmë më tej, me fillimin e punës. Kujtoj fjalimin e tij “programatik” në Kuvend ku, duke tundur kokën, me një ton gati-gati  kërcënues, na paralajmëroi se deri ato çaste nuk kishim parë akoma gjë por të prisnim se, sipas tij, do të shihnim çudira, që deri atëhere nuk i kishte realizuar asnjë nga para-ardhësit e tij, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar.

Ky do të qe një refren i gjithhershëm i çdo veprimtarie që do të zhvillonte më pas, deri në ditët tona kur po i mbaron mandati: evidentimi se si ia kishte lënë atë fushë para-ardhësi, gjë që na kujton diktaturën e kaluar kur “Enveri ynë” i maste arritjet e tij jo me Botën apo qoftë edhe me fqinjët, por me kohën e Zogut.

Ai na përsërit, fitoren historike të qershorit ’13, duke i krahasuar votat që mori me “një milion topa, grushte apo shuplaka” që iu dhanë opozitarëve të sotëm.  Por, me që erdhi fjala, kemi të drejtë të bëjmë pyetjen: “ A qe rezultati i atyre zgjedhjeve një fitore për të cilën ia vlen të krenohesh e të na e tundesh orë e çast para syve, si trofe toreadori, deri në dhimbje koke?”.

Mendoj se është e kundërta. Tani është i detyruar ta pranojë dhe vetë kryerlindasi se qenë pikërisht ato zgjedhje që mbushën Parlamentin me mediokër por të pasur, hajdutë, kriminelë me precedentë penalë, të lidhur me trafiqe e të korruptuar, siç e kanë marrë vesh tashmë edhe kalamajt e kopshteve.

Si të tilla, ato zgjedhje dhe ajo e ashtuquajtur “fitore plebishitare”, jo vetëm që nuk të bëjnë krenar por janë një njollë turpi në historinë e pluralizmit shqiptar. Kryerilindasi ynë, jo vetëm që nuk duhet t’i përmendi më ato, por të ulë kokën e t’i kërkojë falje elektoratit që e mashtroi duke çuar në Kuvend jo personalitete me integritet e të kualifikuar por bastardë, një pjesë e të cilëve meritojnë të ishin pas hekurave, siç edhe ka ngjarë më se një herë.

Por, duke u marrë me këto detaje ne, dashje apo pa dashje, ramë në pozitat e tij dhe “harruam” të ndalemi e të vlerësojmë arritjet “madhështore” të kësaj qeverie, siç trumbetohet nga kryetari i saj dhe shpura që i shkon pas.  Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se tani, pas afro katër vjetësh kur po i vjen fundi i mandatit, para nesh shpërfaqet një Shqipëri tjetër, pavarësisht se në shumicën e të dhënave, shifrat e faktet, janë me kokë poshtë.

Mos pandehni se është e lehtë të gjykosh një qeveri, veçanërisht tek ne. Ku të bazohesh, tek ata që janë në pushtet dhe që e paraqesin çdo gjë të shkëlqyer, pa korrupsion e krimnalitet, paçka se këto i pohojnë dhe ndërkombëtarët; apo tek opozita që e krahason Shqipërië me Kolumbinë, për nga kanabizimi i vendit dhe tonelatat e drogës që nisen nga brigjet tona për në Europë dhe që treguesit ekonomikë e socialë kanë njohur e po njohin vetëm rënie?!

Siç është polarizuar politika, po ashtu janë pozicionuar në drejtime të kundërta edhe mediat që, në vend të informimit, vetëm çorodisin e disinformojnë. Ndaj dhe unë nuk po zgjatem me shifra e fakte, pro apo kundra, se ato i gjen me bollëk, me lehtësinë më të madhe çdo lexues, por po përmend vetëm një tregues fare të theshtë: po qe se njerëzit do të jetonin më mirë tani se para tre-katër vjetëve, nuk do qe kjo dëshirë e papërmbajtur për ta braktisur vendin, si kurrë më parë.

Qeveria e të ashtuquajturve “rilindas”, mund të ketë njëmijë merita e mëkate, por nuk mund të mohojë dot krimin e madh që ka bërë duke vrarë shpresën, veçanërisht tek të rinjtë, se në atë vend nuk jetohet. Parë në këtë prizëm, ardhjen e Ramës në krye të qeverisë unë do ta quaja një fatalitet kombëtar.

 

 

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>