Kurti kërkon heqjen e dyanshme të targave të përkohëshme me Serbinë

Nga Exit News
Kurti kërkon heqjen e dyanshme të targave të përkohëshme me Serbinë

Kryeministri kosovar, Albin Kurti propozoi të mërkurën që Kosova dhe Serbia të heqin bashkarisht targat e përkohëshme për automjetet që lëvizin mes dy vendeve.

“Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze e kjo është le t’i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë që qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e më sa më pak vonesa,” citohet Kurti në mbledhjen e qeverisë nga një raportim i Radio Evropa e Lirë.

Më herët, ai ftoi serbët e Kosovës të hiqnin barriadat e vendosura në rrugët kufitare, pasi përshkallëzimi nuk ishte në interesin e askujt.

“Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia,”pohoi ai.

Bllokimi i rrugëve nga komuniteti serb erdhi pasi qeveria e Kosovës nisi të zbatojë të njëjtën masë që zbaton Serbia ndaj makinave me targa të Kosovës: pajisjen në kufi me targa të përkohshme kur makina hyn në vendin fqinj.

Serbia e ka zbatuar një masë të tillë ndaj makinave nga Kosova që kur kjo shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Kurti shtoi se Kosova përkrahte dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, ndërkohë që Serbia po e refuzonte.

“Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë,” u shpreh Kurti.

Një qëndrim të ngjashëm ai e mbajti edhe një ditë më parë, ndërkohë që Vuçiç bëri me dije se kishte kishte refuzuar një kompromis zgjidhje nga BE-ja dhe vendet e Quintit, duke kërkuar tërheqje të Kosovës nga vendimi.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>