Kurti në samitin e BERZH: Prioriteti ynë, hekurudha Kosovë-Serbi

Nga Exit News
Kurti në samitin e BERZH: Prioriteti ynë, hekurudha Kosovë-Serbi

Kryeministri Albin Kurti i Kosovës deklaroi sot se i jep prioritet të veçantë bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për rehabilitimin e hekurudhës që lidh Kosovën me Serbinë.

Duke folur nga samiti i BERZH-it në Londër, ku ishin të pranishëm dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, Kurti tha:

“Unë besoj se me qeverinë tonë, ne [qeveria e Kosovës dhe EBRD] mund të bëjmë gjëra që nuk i kemi bërë në të kaluarën. Do të përqendrohemi, ndër të tjera, në këtë lidhje midis Prizrenit në Kosovë dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rehabilitimin e hekurudhës nga jugu në veri, nga Hani i Elezit në vendkalimin kufitar me Maqedoninë e Veriut, deri në Leshak në kufi kalimi me Serbinë.”

Këto dy prioritete të Kurtit përkojnë me marrëveshjen e fundit të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e të dërguarit të Presidentit amerikan Richard Grenell. Pasi u nënshkrua marrëveshja, e mbikëqyrur nga Presidentët Thaçi dhe Vuçiç, Kurti la të kuptohej se nuk e pranoi atë, duke thënë se qeveria e tij nuk ishte informuar mbi përmbajtjen e marrëveshjes.

“Unë jam vetëm prej tre javësh në këtë detyrë, por ka një entuziazëm të madh në Kosovë, dhe dua që ky entuziazëm të [vazhdojë] me një bashkëpunim rajonal dhe në më shumë investime për rajonin, veçanërisht për Republikën e Kosovës,” shtoi Kurti në intervistën e shkurtër të publikuar në profilin e BERZH-it në Twitter.

Kurti nënvizoi gjithashtu se qeveria e tij do t’i japë përparësi sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe tërheqjes së investimeve të huaja:

“Nga ana tjetër, ne gjithashtu do të lidhim tregun e punës me arsimin cilësor, dhe kemi nevojë për një infrastrukturë më të mirë, veçanërisht hekurudhat, ku BERZH mund të na ndihmojë shumë, dhe rrugët rajonale në mënyrë që të kemi një lidhje më të mirë brenda vendit tonë dhe me vendet fqinj.”

Nënkryetari i parë në BERZH Jurgen Rigterink shkroi në Twitter se Kurti kishte kërkuar nga homologia e tij serbe Ana Brnabiç reciprocitet midis dy vendeve dhe që Serbia të njohë Kosovën e pavarur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>