Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka kërkuar Amerikës dhe Bashkimit Europian që të monitorojnë zbatimin nga Serbia dhe Kosova të premtimeve ndaj njëra-tjetrës, para rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi.
Pak ditë pasi vendosi heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe, Albin Kurti, përmes një letre, kërkon që SHBA-të dhe BE-ja të krijojnë një mekanizëm për të monitoruar që Serbia dhe Kosova i zbatojnë vendimet në lidhje me njëra-tjetrën: Kosova për heqjen e tarifave dhe Serbia për ndalimin e fushatës së lobimit kundër Kosovës dhe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë nga shtetet e tjera.
Në letrën, të cilën Telegrafi.com e ka publikuar të plotë, Kurti shkruan:
“Duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar.
Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para.
Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës.
Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.”
Albin Kurti shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të për dialogun Kosovë-Serbi, me qëllimin final njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Kryeministri Kurti njoftoi më 27 shkurt se Kosova do të nisë heqjen graduale të tarifave 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia e Bosnje-Hercegovina.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta si brenda vendi, ashtu dhe nga ndërkombëtarët.
Veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i të dërguarit të Posaçëm të presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili kundërshtoi vendimin e Kurtit për heqje graduale dhe kërkoi heqjen e të gjitha tarifave.
Për më tepër, lexoni të plotë këtu të gjitha reagimet pro dhe kundër për vendimin e Kurtit për heqjen e tarifave ndaj Serbisë.