Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot thirrje Serbisë që të ndalë lobimin për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti pohoi se SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësuese të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë që të ndërpresë fushatën e saj politike.
Kurti u shpreh se “vullnetit të mirë për heqjen e pjesshme të taksës” qeveria serbe po i përgjigjet me “intensifikim të fushatës së çnjohjeve të pavarësisë”.
Reagimi i Kurtit erdhi pasi Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lajm i cili ishte paralajmëruar nga Presidenti serb Vuçiç.
Kurti i bëri thirrje që:
“[…] Serbia ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. […] SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.”
Kryeministri i Kosovës theksoi se qeveria e tij ka treguar qartë se e ka vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo:
“[…] nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj.”
Në fund të shkurtit qeveria kosovare njoftoi nisjen e heqjes graduale të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.