Ilir Meta, Kreu i Kuvendit dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u zgjodh të premten Presidenti i ri i Shqipërisë. Pas zyrtarizmit të kandidaturës së tij një ditë më parë, Meta u zgjodh me 87 vota pro dhe 2 kundër në raundin e katërt të votimit që u zhvillua të premten mbasdite në Kuvendin e Shqipërisë.
Kandidatura e Zotit Meta mori mbështetjen e grupit parlamentar të LSI, PS e PDIU, ndërsa opozita nuk mori pjesë në proces për shkak të bojkotit të parlementit që prej gati dy muajsh.
Kush është Ilir Meta
Ilir Meta është një prej politikanëve më jetëgjatë të politikës së Shqipërisë. Ai është anëtar i Kuvendit që prej 22 marsit të vitit 1992, kur ai u zgjodh si deputet i Partisë Socialiste. Zoti Meta është zgjedhur deputet në gjitha legjislaturat e mëpashshme, pas vitit 2005 si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ilir Meta është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESSH), në të cilin për tre vite (1992-1995) ka qenë nënkryetar dhe më pas kryetar deri në vitin 2001.
Gjatë gjithë këtyre viteve Zoti Meta kishte njëkohësisht role drejtuese në Partinë Socialiste të Tiranës.
Ilir Meta ka një karrierë të suksesshme ne qeveri. Nga nëntor 1999 deri në shkurt 2002 ai ka ka shërbyer si Kryeminsitër i vendit. Këtë detyrë ai e mori nga Pandeli Majko gjatë mandatit të parë të qeverisjes socialiste të kohës. Ai u rikonfirmua si kryeministër nga PS pas fitores nga kjo parti të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001. Si pasojë e përplasjeve të brendshme në PS, Ilir Meta u detyrua të dorëhiqej nga kryeminsitër në shkurt 2002.
Në korrik të vitit 2003, pas debateve me kryeministrin e asaj kohe Fatos Nanon, Zoti Meta vendosi laegimin nga PS dhe bashkë me një grup mbështetësish të tij në PS ai formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Në zgjedhjet e vitit 2005, LSI, me 8,4 për qind të votave, fitoi 5 deputetë, duke qenë një nga faktorët që e nxori PS-në në opozitë.
Më pas në zgjedhjet e vitit 2009, LSI fitoi 4 deputetë dhe u përfshi në koalicionin qeverisës bashkë me Partinë Demokratike. Zoti Meta u emërua ZëvendësKryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Më pas, nga shtatori 2010 deri në janar 2011, Ilir Meta ishte Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Pas publikimit të një videoje nga ish-deputeti Dritan Prifti, ku Meta shfaqej duke diskutuar për një ryshfet prej 700 mijë eurosh, ai u detyrua të japë dorëheqjen nga posti i ministrit.
Një vit më vonë, në janar 2012, Zoti Meta u shpall i pafajshëm me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë, pasi akuzat për korrupsion aktiv nuk u vërtetuan.
Në prill të vitit 2013, Zoti Meta braktisi koalicionin qeverisës me PD-dë dhe firmosi koalicionin parazgjedhor me Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 2013-ës, LSI fitoi 16 mandate dhe Ilir Meta u emërua Kryetar i Kuvendit.
Pak orë përpara votimit të sotëm, Ilir Meta është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Autoriteti Shtetëror i Dosjeve si figurë e pastër dhe pa pengesa ligjore për të kandiduar.
Nëse Zoti Meta zgjidhet sot President, ai do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik 2017, ditë kur mbaron mandati i Presidentit aktual Bujar Nishani.