Mes bombave tymuese dhe këpucëve të hedhura, kartave të vjedhura dhe votave të rreme, u mbyll në mënyrë të shëmtuar sezoni parlamentar i 2017-s, i pari i një parlamenti me shumicë absolute socialiste të drejtuar nga Gramoz Ruçi, me rezultatin e zgjedhjes (të paparashikuar në kushtetutë) të një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme, aq e përkohshme sa e zgjedhura është aktualisht me leje lindje.
Të dyja palët bëjnë bilance dhe sigurisht çdo njëra prej tyre pretendon për humbje shkatërruese të pjesës tjetër, dhe në thelb të dyja palët kanë të drejtë.
Shumica socialiste ka humbur një rast shumë të mirë për të treguar se respekton rregullat, duke shprehur një vullnet për pushtet absolut kaq lakmitar sa nuk gjen tjetër në historinë e tranzicionit.
Përkundrazi, Edi Rama i tregoi botës një kokëfortësi të parekomandueshme deri në prishjen e votimit në parlament, dhe pastaj, si një kryebashkiak i rëndomtë, mori rolin e njeriut të mëshirshëm duke vizituar policët e lënduar gjatë përleshjeve.
Por aman ka një Prokure të Përgjithshme të Përkohshme, të besuar, me prejardhje të sigurt, dhe me shkollë të sigurt. Dhe tregoi se ka pushtetin e numrave, gjë që të gjithë e dinin, dhe se do ta përdorë këtë pushtet, gjë të cilës të gjithë i druheshin.
Besimi “bipartizan” i reformës në drejtësi u masakrua, ndërsa ajo e ambasadorit amerikan, vendit kampion të pakundërshtueshëm të logjikës juridike dhe kushtetuese, tashmë është kompromentuar përfundimisht.
Një reformë në drejtësi me çdo kosto, pra edhe me koston e shkeljes së kushtetutës të një pale kundra tjetrës, me koston e shkatërrimit të çdo paanshmërie, me qëllimin e vetëm për të demonstruar forcën, duke qenë se prokurori i ri nuk ka asnjë kompetencë (ose të paktën kështu thonë ata) nuk mund të jetë krenari, dhe me siguri nuk është një rezultat i dobishëm për shoqërinë shqiptare, por mund të konsiderohet rezultat vetëm nga pikëpamja e sundimit politik, e mundësisë për të dalë mbi opozitën, për ta bërë qesharake dhe për ta përqeshur.
Ndërsa opozita nuk arriti të bllokojë parlamentin, dhe kjo ishte e dukshme që nga fillimi, por mbi të gjitha nuk arriti të përcjellë një mesazh të qartë popullit të saj, që mesa duket duhet të presë deri në fund të festave të fund vitit për të parë një lloj opozite të besueshme. Në fakt mbledhja e përbashkërt e opozitës, dhe seanca e fundit parlamentare, u mbyll me një shtyrje pas festave, kriza kushtetuese mund të presë, më pas vendosim se çfarë të bëjmë.
Mos pranimi i djegjes së mandateve të deputetëve nga ana e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas saj të fituar “me gjak e djersë” mbetet e pakuptueshëm. Nëse është e vërtet që shumica, me justifikimin që ka votat për të bërë atë që do, nuk respekton procedurat parlamentare dhe as ato kushtetuese, çfarë do të bëjë Monika me mandatet e saj? Do arrijë të tregojë vetëm se është e “ngjitur pas karrikes”.
Në të njëjtën mënyrë shfaqet edhe paaftësia e kryetarit të PD-së për të gjetur një sitenzë të përbashkët për të zgjeruar krahun e protestuesve edhe ndaj shumë përbërësve të shoqërisë shqiptare që shprehin në vazhdimësi pakënaqësinë e tyre të vazhdueshme, por që deri më tani nuk kanë pranuar të dalin në shesh dhe t’i përgjigjen thirrjes së PD-së.
Ndër shumë refleksione të shpallura nga Basha dhe Kryemadhi, mungon një, ndoshta më i rëndësishmi: si t’ia bëjnë të bëhemi të besueshëm duke mbajtur nën shpatulla të shkuarën.
Ajo që ka humbur gati gjithçka është shoqëria shqiptare, që do të vazhdojë të paguajë çmimin e një diktature të kapitalizmit shtetëror në mungesë tërësore të garancive, dhe që si pasojë do të qendrojë gjatë jashtë Evropës, të paktën nëse nuk emigrojnë të gjithë individualisht.