Kuvendi miratoi të hënën 3 akte normative, që kanë të bëjnë me marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë e vaksinave Pfizer.
Deputetët votuan për të tre aktet normative me 94 pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.
Konkretisht tre aktet e miratuara janë:
- Akti normativ për dhënien e autorizimit të MSH dhe ministrit të shtetit për Rindërtimit për prodhuesit e vaksinës anti-covid.
- Miratimi i tekstit të marrëveshjes nëpërmjet Pfizer dhe MSH, ISHP dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e hyrjes dhe administrimit.
- Miratimi i marrëveshjes së nënshkruar për prodhimin dhe furnizimit të Pfizer me MSH, ISHP dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.
Miratimi i kësaj marrëveshje u shoqërua me debate të hënën në Kuvend, pasi disa deputetë të opozitës kërkuan transparence nga qeveria në lidhje me marrëveshjen.
Qeveria ka miratuar me akt normativ, marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-COVID, por ka vendosur që ajo të mos bëhet publike “për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës” së kompanisë.
Shqipëria ka siguruar akses për doza të mëtejshme të vaksinës së Pfizer kundër COVID-19, deklaroi kryeministri Rama të hënën në Kuvend, ndërsa shtoi se po zhvillohen negociata me kompani dhe shtete të tjera.
Sa i përket marrëveshjes me Pfizer, Rama tha se çmimi ka qenë i panegociueshëm.
Aty parashikohet gjithashtu se nëse Shqipëria kërkon të bëjë marrëveshje “për të dhuruar shitur apo shkëmbyer vaksina, duhet të marrin leje nga Pfizer përndryshe transaksioni është i pamundur”, tha Rama.