Kryeministri Edi Rama vendosi sot të përfshinte në zonat me gjendje të jashtëzakonshme edhe Laçin.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, mëngjesin e së premtes, Kryeministri tha se gjendja shqetësuese në Laç, e bënte të detyrueshme përfshirjen në zonat me gjendje të jashtëzakonshme.
“Ka dëme edhe në Laç, (njerëzit) kanë dalë nga godinat dhe janë nëpër çadra, do të trajtoheshin njësoj të përfshihen në vendimin e perimetrit të emergjencës. Duke konsideruar edhe opinionin e kryetarit të opozitës them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program që askush të mos ndihet i vendosur në një kategori të dytë të vëmendjes.”
Deri më tani raportohet se disa pallate janë bërë të pabanueshme nga dëmtimet e tërmetit. Banorët janë evakuuar. Policia ka vendosur shiritin për të ndaluar hyrjen e banorëve. Godina e spitalit të Laçit ka pësuar plasaritje dhe të gjithë personeli e pacientët kanë dalë nga spitali.
Si dhe prej dy ditësh qytetat nuk ka ujë të pijshëm, pasi është dëmtuar tubacioni i ujësjellësit nga tërmeti si pasojë e rrëshkitjes së tokës.
Kryeministri Rama njoftoi se shumë shpejt do të mblidhet Komiteti Kombëtar i Ndërtimit, i cili do të merret me kontrollin dhe zgjidhjen e çështjes së sigurisë së banesave. Zoti Rama ftoi në këtë Komitet edhe opozitën duke theksuar se në këtë pikë nuk kishte çështje politike:
“Do të ishim të lumtur të ishte edhe opozita qoftë sa i përket aspektit financiar, qofte dhe teknik. Nuk kemi çfarë ndajmë në këtë aspekt përveçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit […] është mirë të jemi bashkë, është mirë të punojmë bashkë”.