“Lali Eri” apo Edi Rama 2.0

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
“Lali Eri” apo Edi Rama 2.0

Gjatë këtyre ditëve, është e vështirë të kuptosh nëse Kryebashkiaku Erion Veliaj ndjek ndonjë ide apo politikë të vetën.

Natyrisht, përsa i përket mënyrës së të bërit propagandë, ai dallon nga Kryeministri Rama. Në ndryshim nga Rama, të cilit i pëlqen të rrethohet me elementë anësorë plot shije dhe kulturë ndërkombëtare, Veliaj ka zgjedhur fëmijët si dekorin e tij të preferuar.

Ai i thërret vetes me nofkën popullore “Lali Eri”.  Rama, narcizist i lindur, nuk do ta kishte pranuar asnjëherë këtë nofkë patetike. Por përveç këtij dallimi politikat e tyre janë gati të padallueshme.

Shembulli 1: Lyerja e fasadave

Në mandatin e parë si kryebashkiak i Tiranës, Rama filloi të lyente fasadat e disa pallateve të kohës së komunizmit si pjesë e projektit “Greening and Painting”. Në fillim, ai i zgjodhi vetë motivet dhe ngjyrat, më pas ftoi artistë të ndryshëm për të vazhduar projektin e tij.

Edhe Veliaj, në fillim të mandatit bëri të njejtën gjë: filloi të ngjyroste sërish godinat. Në fillim, ai restauroi godinat e lyera nga Rama dhe më pas ftoi artistët vendas për t’i lyer ato.

Duhet theksuar se qasja e Veliajt është thjesht imitim, por vetëm më shumë “katunar”, më shumë “vendas”. Rama ftoi artistë ndërkombëtarë, Veliaj u vete nga pas vetëm atyre vendas.

Shembulli 2: Masterplani

Gjatë kohës si kryebashkiak, Rama zhvilloi një sërë konkursesh ndërkombëtare arkitekture për ta kthyer Tiranën në kryeqytetin evropian që ai imagjinonte. Lejet e ndërtimit e dhëna me anë të këtyre “konkurseve” u kthyen në një biznes fitimprurës për këdo që u përfshi në to, në kurriz të qytetarëve të thjeshtë.

Disa mbetje të këtyre nismave kryesisht shkatërruese vazhdojnë të ekzistojnë, si për shembull Hotel Plaza, i vetëquajtur hotel me pesë yje, të cilin Rama, pavarësisht ushqimit dhe shërbimit mediokër, e mbështet me aktivitete të ndryshme qeveritare—ndoshta emri më i përshtatshëm për të do të ishte Rama Plaza.

Një tjetër mbetje është kulla 4Evergreen, një karabina e falimentuar, e cila qendron përballë Katedrales Ortodokse. Arkitekti i kësaj kulle, Marco Casamonti, i dënuar në Itali për korrupsion, është edhe vizionari i projektit të Stadiumit të ri Arena Kombëtare — ide e Ramës, jo e Veliajt.  Në fakt, Veliaj sapo kishte ndërtuar një “eco parking” shumë të bukur në të njëjtin vend, i cili u shkatërrua me të njejtën shpejtësi që u ndërtua. Ky ishte i vetmi projekt i menduar nga vetë Veliaj…. Nuk ishte e thënë të zgjaste!

Por Erion Veliaj ka masterplanin e tij, i cili përfshin një skemë korruptive me lejet e ndërtimit, saktësisht siç e ka kërkuar Rama dhe jo pa kërkuar diçka në këmbim. Veliajt iu desh të merrej me mikun e Ramës, Stefano Boeri, të katapultuar në Tiranë përgjatë gjithë procesit të hartimit të projektit, të cilin e braktisi gjatë prezantimit të Masterplanit në Hotel Plaza.

Pa merak: ndërsa Rama parashikonte qiell gërvishtëset e tij dhe thurte pretendime globale, ndikimi i Veliajt shkoi deri në “edukimin për instalimet filtruese të ujit” përgjatë Lanës dhe sigurisht, më shumë ndërtime.

Me Veliajn ne nuk kemi frikën se ndërkombëtarët do të fluturojnë këtu për ta kthyer Tiranën në një bufe të arkitekturës bashkëkohore. Çdo gjë do të tenderohet në mënyrë perfekte për të gjithë miqtë e preferuar vendas, të cilët mezi po presin të gllabërojnë çdo pronë private të mbetur.

Shembulli 3: Sheshi Skëndërbej

Në vitin 2008, ish-kryebashkiaku Edi Rama nisi rindërtimin e Sheshit Skëndërbej, bazuar në një projekt të studios belge të arkitekturës 51N4E dhe Anri Salës, ish-studentit të përzgjedhur të tij dhe tani partnerit të tij në çdo gjë që lidhet me artin. Sheshi Skenderbej filloi të kthehej në zonë për këmbësorët, por në vitin 2011, kryebashkiaku i ri Lulzim Basha vendosi hapjen e sheshit për makinat.

Por në vitin 2015, një nga vendimet e para të kryebashkiakut të ri Erion Veliaj ishte shkatërrimi i sheshit që ndërtoi Basha, ndalimi i kalimit të makinave për ta kthyer atë në një zonë pedonale (me pasoja të rënda për trafikun) dhe rikthimi i planit të vitit 2008 të Ramës, duke i shtuar dhe një parkim nëntokësor që Ramës i “ra nga qielli” në verën e 2016-ës.

Shembulli 4: Mbikalimi

Ky në fakt ishte projekti që më nxiti të shkruaj këtë analizë të shkurtër për Erion Veliajn si kopje e keqe e Edi Ramës. Dje, Erion Veliaj deklaroi se bashkia do të ndërtojë mbikalimin tek Sheshi Shqiponja në hyrje të Tiranës, në të njëjtin stil me mbikalimin e Edi Ramës tek Zogu i Zi.

Mbikalimi tek Zogu i Zi ishte një projekt që u nis në vitin 2005 nga kryebashkiaku i atëhershëm Edi Rama. Ironikisht, projekti u shpall i paligjshëm nga qeveria Berisha dhe mes Edi Ramës e Sali Berishës nisi një betejë ligjore ku u përfshinë dhjetëra persona që sot kundërshtojnë Masterplanin e ri të Tiranës: urbanisti Besnik Aliaj, më parë këshilltar i Berishës për Territorin dhe Punët Publike, aktualisht këshilltar i djathtë në Bashkinë e Tiranës dhe Lulzim Basha, ish-ministër i Punëve Publike dhe drejtuesi aktual i opozitës.

Mbikalimi u shemb në verën e vitit 2016.

Ashtu si shumë projekte të mëparshme të kryebashkiakut Veliaj, lind pyetja: A janë kostot financiare të këtyre “imitimeve” mënyra më e mirë për të shpenzuar buxhetin e bashkisë?

A është lyerja e të njejtave ndërtesa mënyra më e mirë për rikualifikimin urban? A është shkatërrimi i një sheshi dhe rindërtimi i tij përpara se të miratohej masterplani mënyra më e mirë për të shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë? Çfarë do të ndodhte nëse Stefano Boeri të kishte thënë: sheshi për këmbësorë në qendër të Tiranës është ide pa vlerë? Sigurisht që Boeri nuk do e thoshte një gjë të tillë… sepse Rama…

Përsërtitjet e projekteve arkitektonike të Ramës nga ana e Veliajt—lyerja e fasadave, masterplani, sheshi, mbikalimi—na kujtojnë se kundërshtitë për këto plane kanë qenë të pranishme në politikën shqiptare që kur Veliaj u fut në arenën politike me organizatën Mjaft, financuar nga ambasada hollandeze dhe ambasada të tjera në Tiranë.

Sado patetike të jenë këto përsëritje, ato janë ndoshta më helmuese se varianti origjinal sepse tregojnë mungesë të thellë të origjinalitetit, vizionit dhe mendimit.

Për “Lali Erin”, kopja dhe përsërtja e veprave të “Baba Ramës” nuk është vetëm një mënyrë e zgjuar—të paktën kështu mendon ai—për të treguar besnikërinë ndaj politikanit nën hijen e të cilit ai u rrit, por është kopjimi deri në detaje i veprimeve që kanë shkaktuar këtë situatë katastrofike urbane që Tirana ka sot.

Jo për shkak të përmbajtjes së planeve urbanistike, por për mënyrën se si zbatimi i tyre është shtyrë me forcë.

Dhe nuk ka foto me fëmijë në krahë që mund ta fshehin këtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>