Media e huaj Politiko publikoi një artikull më 27 qershor për përfshirjen e këshilltarit politik të LSI-së David Zaikin, në politikën dhe biznesin rus.
Në artikull shkruhet se David Zaikin është përfshirë në marrëveshje tregtare në fushën e energjisë, si dhe në shitje apartamentesh në Kullën Trump me sipërmarrës rusë. Ai ka marrëdhënie të afërt me Mike Flynn, një nga personat kryesor të hetuar nga Senati i SHBA-ve dhe nga Zyra e Prokurorit Special.
Sipas hetimeve, Zaikin ka qenë këshilltarë politik i partisë Lëvizja për Integrim (LSI) në Shqipëri, partisë në pushtet në Rusi dhe partisë VMRO në Maqedoni.
Në artikull thuhet se Zaikin ka lidhur LSI-në me lobistë dhe këshilltarë fushatash të rëndësishëm në SHBA.
Kryetari i LSI-së Ilir Meta, i pasqyruar si udhëheqës pro perëndimor, disa herë ka pasur përplasje të fortë me Departamentin e Shtetit për ndikimin e SHBA-ve në reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Sipas medias shqiptare Reporter.al, LSI ka shpenzuar më shumë se 300 mijë dollarë në lobim.