Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi të martën kryeministrin Rama se po shpopullson Shqipërinë, duke nxitur të rinjtë të largohen përmes dështimeve në qeverisje.
Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha se politikat e Ramës po e bëjnë Shqipërinë t’i duket vend i huaj të rinjve:
“Shqiptarët kanë një kryeministër, i cili në kohën e pandemisë më të rëndë që ka goditur Shqipërinë në 100 vitet e fundit, në vend të bëjë detyrën e tij e t’i ndihmojë shqiptarët, bën të kundërtën.”
Ai theksoi se Shqipëria ‘është vendi i katër në botë për largimin e njerëzve të aftë për punë, njerëz të çmuar për zhvillimin e Shqipërisë që largohen nga vendi.’
‘Edhe njerëz që paguhen jo keq, sepse klime është mbytëse për shkak të një qeverie taksidarë, që bën presion, që kërkon të grabisë gjithçka nga pagat e tyre dhe ua bën jetën të pamundur,’ shtoi Vasili.
Vasili theksoi se Shqipëria ‘është vendi i dytë në botë për azil kërkimet, pas Sirisë dhe ky është një tregues i tmerrshëm, kokëfortë, i vërtetë’ dhe se ‘është vendi i parë në Evropë edhe për emigracionin e të miturve, sipas të dhënave të vetë UNICEF-it’.
Vasili i bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe në 25 prill të largojnë qeverinë e Ramës:
“Është koha për reflektim dhe koha për një reflektim të fortë, pasi jo vetëm largimi por edhe dënimi deri në fund i krimit shtetëror të kryer nga të gjitha nivelet e shtetit nga Edi Rama me të tijët, është një gjë e cila duhet të jetë një objektiv i patjetërsueshëm.”