Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi, të hënën, qeverisë Rama të bëjë transparencë për blerjen dhe ardhjen e vaksinave anti-covid në vend.
Përmes ish-deputetes Erisa Xhixho, LSI u shpreh se qytetarët kanë të drejtën e informimit për këtë gjë kaq të rëndësishme për shëndetin e tyre:
“Vaksina e Covid 19 është një çështje shëndeti publik me impakt madhor tek jetët e njerëzve.
Nëse s’ka trasparencë si do garantohet mbrojtja dhe shpërndarja, mbi të gjitha aksesi i barabartë për të gjithë shtresat e popullsisë.”
Reagimi i LSI-së vjen pas vendimit të qeverisë për të mbajtur sekret marrëveshjen me kompaninë Pfizer për vaksinat anti-Covid.
“Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.”, shkruhet në Fletoren Zyrtare.