Lëvizja Socialiste për Integrim kritikoi të shtunën SPAK dhe organet e reja të drejtësisë, duke thënë se po hetojnë në mënyrë të njëanshme. Nënkryetari i LSI Petrit Vasili tha se hetimi i dosjes 184 po bëhet duke mbrojtur Partinë Socialiste.
“SPAK-u eshte sot kaq mbrapa dhe zhgënjyes dhe s’ka asnje krahasim me Prokurorine e dikurshme te Krimeve te Renda. Prokuroria e Re eshte shnderruar ne nje Mbyllese e palodhur çeshtjesh dhe justifikuese e qeverise me e zellshme se qeveria vete. Prokuroria e re eshte mjaft larg edhe Prokurorise se dikurshme. Dosjes 184 ja ka dhene verdiktin i gjithe populli, qe i ka degjuar me veshet e tij se si llumi i rilindjes u derdh ne Diber per te blere vota e per te mobilizuar kriminele per te realizuar grabitjen qeveritare te votes”, tha ai në Facebook.
Vasili u shpreh se dosja 184 si dhe 339 u bënë shkak, që në kushtet për hapjen e negociatave u shtua hetimi dhe dënimi i dosjeve të krimit elektoral.
Vasili ka kritikuar edhe reagimet e ambasadorëve të huaj në Shqipëri.
“Zhgenjimin ndaj Drejtesise se Re nuk e mbulon dot asnje deklarate propagandistike Ambasadoresh, te cilet per justifikuar miliona euro te hedhura dëm, duan me nje insisistim qesharak te shesin kallpin per flori”, tha ai.
Prokuroria e Dibrës ka përfunduar hetimet për dosjen 184, e njohur si dosja e vjedhjes së votave në zgjedhjet e 2016-ës në Dibër, pas gati më shumë se 3 viteve.
Në shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda kaloi hetimet për “Dosjen 184” në prokurorinë e Dibrës. Ky kalim u bë në shkelje të ligjit.
Në janar 2020, SPAK konfirmoi vendimin dhe nuk pranoi të merrte çështjen për shqyrtim.
Megjithëse dosja 184 përfshin përgjime të ish-Ministrave Tahiri, Gjiknuri dhe deputetë socialistë në biseda me policë, biznesmenë dhe persona të dyshimtë të cilët angazhohen për të siguruar vota në mënyra të paligjshme për zgjedhjet në Dibër, – SPAK nuk pranoi ta shqyrtojë atë. (Kliko këtu për t’i dëgjuar përgjimet.)