Fatos Lubonja ka akuzuar policinë se dha një version të rremë të ngjarjes së të dielës ku Arben Haçkaj goditi me gur makinën e tij.
Në një përgjigjje ndaj gazetës Panorama, Lubonja është shprehur se goditja e makinës nuk kishte qenë e rastësishme. Sipas publicistit të njohur, Haçkaj e ka fyer vazhdimisht edhe në të kaluarën dhe, po të dielën, ai i kishte hedhur nga kati i katërt edhe vazot që e ëma e tij mbante në pragun e derës.
Ditën e dielë policia njoftoi se e kishte arrestuar Haçkajn pasi qe raportuar për dhunë nga bashkëshortja dhe kalimtarë të rastit.
Sipas njoftimit të policisë në momentin e arrestimit Haçkaj, i cili thuhet se vuan nga sëmundje mendore, mbante një thikë në dorë dhe e goditi makinën e Lubonjës në përpjekje për t’u larguar.
Pikërisht për këtë version të policisë Lubonja është shprehur se “kjo është një e pavërtetë tronditëse, që tregon se në çfarë duarsh policësh është e vërteta dhe e drejta në vendin tonë, ashtu sikurse edhe drejtësia jonë”.
Lubonja thotë se e di që Kaçkaj vuan nga sëmundje mendore, por ai shprehet se ngjarja e së dielës është ndikuar nga deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili në çdo moment “denigron, fyen dhe godet gazetarët dhe mediat kritike ndaj tij”.