LVV në Shqipëri kërkon transparencë për dekretin e Greqisë për detin

Nga Exit News
LVV në Shqipëri kërkon transparencë për dekretin e Greqisë për detin

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka kërkuar transparencë nga qeveria Rama për miratimin e dekretit që zgjeron  ujërat territoriale të Greqisë me 12 milje në Detin Jon.

Përmes një deklarate për shtyp, Lëvizja Vetëvendosje thotë se deri më sot publiku shqiptar nuk ka parë asnjë dokument zyrtar ku mbështetet dekreti i Greqisë për zgjerimin e ujërave.

Vetëvenddosja e quan ‘qasje antikombëtare’ mosreagimin dhe mossqarimin nga ana e qeverisë Rama:

“Mosveprimi i qeverisë Rama për të bërë transparencë është një qasje antikombëtare, dhe nuk mund të mbulohet me deklarime se çështja do të shtrohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.”

Po ashtu, LVV akuzon Ramën se po merr rolin e avokatit mbrojtës të Greqisë, kur duhet të ishte duke mbrojtur interesat e Shqipërisë:

“Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që merr rolin e avokatit të Greqisë e që shan të gjithë qytetarët që kërkojnë transparencë dhe trajtim të drejtë të çështjes.

Nuk ka nevojë për një kryeminstër që i jep të drejtë palës greke apriori, dhe që hesht kur pala greke tregon publikisht se ka mbi 6 muaj që bëhen negociata për këtë çështje, të cilat janë mbajtur të fshehta nga publiku.”

Lëvizja paralajmëron se nëse Shqipëria shkon në Hagë, pa bërë njëherë transparencë të plotë mbi dekretin e fundit grek, dhe pa përdorur të gjitha mekanizmat e ligjit ndërkombëtar (përfshirë Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit) për shqyrtimin dhe kontestimin e këtij dekreti, atëherë Shqipëria rrezikon të humbasë edhe ujëra territorale edhe zonë ekonomike në Detin Jon.

Miratimi i dekretit i jep të drejtë shtetit grek hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit mes Shqipërisë e Greqisë do të zgjidhej nga drejtësia ndërkombëtare.

Më 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>