Fundjavën e kaluar, i ashtuquajturi Këshilli Politik, një grup negociatorësh ad-hoc me përfaqësues të qeverisë, opozitës parlamentare dhe opozitës jashtë-parlamentare, arritën një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhor.
Në shumë drejtime, kjo marrëveshje përbën vazhdimin e marrëveshjes McAllister+ të vitit 2017, e cila e minoi rëndë shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike në Shqipëri.
Marrëveshja McAllister+ ndërmjet kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të PS-së dhe kryeministrit Edi Rama përcaktoi kushtet për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, formoi një kuadër ligjor të hartuar për të dëmtuar partitë e vogla, të majta e të djathta dhe solli shkeljen e dekretit të presidentit për datën e zgjedhjeve.
Si rezultat, marrëveshja McAllister+, e ndërmjetësuar nën presion e pafund të partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, thjesht e shtyu në kohë konfliktin midis forcave të mëdha politike në vend, duke dobësuar shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike. Rezultati i kësaj marrëveshje shkatërruese u bë shpejt i qartë.
Opozita mendoi se ajo mund të përdorte të njëjtin marifet dhe e la Kuvendin më 2019, duke shpresur se mund të arrinte një tjetër raund negociatash jashtë-parlamentare të lehtësuar nga ndërkombëtarët (të cilën, në fakt, e morën).
Qeveria mësoi se ajo mund të injoronte dekretin e presidentit pa asnjë pasojë nga ndërkombëtarët, dhe eci përpara me zgjedhjet vendore jo kushtetuese në të njëjtin vit.
Duke qënë se nuk mësuan asgjë nga gabimet e paraardhësve të tyre Donald Lu e Romana Vlahutin, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca ranë në të njëjtën grackë dhe morën rol drejtues në rivënien në skenë të të njejtës miniteatri gjatë javëve të fundit.
Dhe njësoj si më 2017 “u mbars mali dhe polli një mi”.
Që në paragrafin e parë, marrëveshja e Reformës Zgjedhore injoron rekomandimet e OSBE-ODIHR, duke deklaruar se do të zbatojë 100 për qind identifikimin biometrik të zgjedhësve në zgjedhjet e përgjithshme të 2021: një recetë për një dështim të plotë duke konsideruar përgatitjen e dobët të përgjithshme të trupave zgjedhore, mungesën e trajnimit, dhe përplasjet politike që do të ndodhin pa asnjë dyshim që shumë kohë përpara zgjedhjeve.
Për më tepër, organet zgjedhore nuk do të depolitizohen, duke i hapur rrugën një konflikti midis opozitës jashtë parlamentare dhe opozitës aktuale në parlament mbi çështjen se kush do të kontrollojë vendet e caktuara për opozitën në zgjedhjet e ardhshme.
Përveç identifikimit biometrik, asnjë rekomandim tjetër i OSBE-ODIHR nuk është trajtuar nga kjo “reformë”:
• Asnjë zgjidhje të vërtetë për praktikën e përhapur të blerjes së votës apo një hetim i pavarur i këtyre praktikave gjatë zgjedhjeve të 2017 dhe 2019.
• Asnjë zgjidhje të vërtetë për abuzimin me burimet e shtetit për fushtat zgjedhore;
• Jo depolitizim të komisioneve zgjedhore (i shtyrë për në 2023 — gjoja).
• Asnjë zgjidhej për kufizimin e moshës në listat e zgjedhësve, asnjë shtrirje të të drejaës të votës për personat me aftësi të kufizuar.
• Asnjë përmirësi i transparencës duke ua dhënë vëzhguesve të pavarur protokollin e rezultateve.
• Asnjë shfuqizim i legjislacionit për shpifje
• Asnjë përfaqësim i balancuar gjinor në organet zgjedhore;
• Asnjë reformë e mirëfilltë në legjislacionin e financimit të fushatës;
E kështu me radhë.
Flet për mungesën e integritetit të tyre (ose të të kupyuarit) që Komisioneri i Lartë, njëkohësisht Zëvendës President i BE-së folën për një “marrëveshje të rëndësishme politike për reformën zgjedhore” që “i jep Shqipërisë një proces zgjedhor” me standarde më të larta integriteti dhe transparencë”dhe që “trajton një kusht kryesor për të filluar negociatat e pranimit në BE. ”
Përkundrazi, kjo “marrëveshje e rëndësishme politike për reformën zgjedhore”, ashtu si marrëveshja McAllister +, paraqet një kërcënim të rëndë për shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike të Shqipërisë, veçanërisht për shkak të paragrafit 10 të marrëveshjes:
Të gjitha propozimet e dakordësuara do të hartohen në projektligje që do të rishikohen dhe kontrollohen nga Këshilli Politik për të pasqyruar siç duhet marrëveshjen PARA kalimit në Parlament, PA ASNJË ndryshim ose amendim tjetër. Në rastin e ndonjë korrigjimi teknik të propozuar ndaj këtyre ndryshimeve nga organet parlamentare, ato DUHET të aprovohen nga Këshilli Politik PËRPARA se të votohen.
Ky paragraf i turpshëm është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës shqiptare, e cila i jep pa asnjë mëdyshje Kuvendit të Shqipërisë të drejtën e vetme për të miratuar legjislacionin ashtu siç ai dëshiron.
Nuk përmendet askund në legjislacionin shqiptar që një “Këshill Politik” i pazgjedhur me votë të mund të ketë të drejtën ligjore të miratojë ose të hedh poshtë çdo legjislacion të paraqitur në parlament, dhe asnjë dokument nuk mund t’i heqë të drejtën Kuvendit për të miratuar ndryshime në çdo legjislacion.
Pavarësisht nga përdorimi patetik i shkronjave të mëdha në fjalët “PARA”, “PA”, “DUHET”, dhe “PËRPARA”, kjo “marrëveshje” është antikushtetuese dhe nënshkrimet nën të nuk kanë asnjë kuptim përveç se të shprehin një mungesë tronditëse respekti për shtetin e së drejtës dhe parimet themelore të demokracisë.
Ndërkombëtarët, të ngazëllyerit e Twitterit, do të zbulojnë së shpejti se kjo marrëveshje do të jetë sërish një tjetër fitore si e Pirros: një jo-zgjidhje afatshkurtër që gërryen më tej themelet e shtetit shqiptar, ndërkohë që thjesht do e shtyjë vetëm për pak kohë krizën.