Duke kujtuar masakrën e burgut të Dubravës që ndodhi në Kosovë gjatë majit 1999, Ukë Thaçi, një nga të mbijetuarit e asaj ngjarje të tmerrshme, thotë se masakra ishte ideuar nga zyrtarë të lartë serbë, të cilët nuk u dënuan kurrë.
I vendosur në veri-perëndim të Kosovës, burgu u bombardua dy herë, së pari në 19 maj dhe më vonë në 21 maj, gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Fushata synonte t’i jepte fund vrasjeve masive të shqiptarëve etnikë, por meqenëse ushtria serbe ishte e vendosur pranë burgut, NATO gabimisht shënjestroi këtë të fundit.
Pas bombardimeve, rreth 1.000 të burgosur u urdhëruan të rreshtoheshin në fushën sportive të burgut dhe u tha se do të transferoheshin në ambiente të tjera për arsye sigurie.
Sidoqoftë, ajo që ndodhi më pas përshkruhet nga të mbijetuarit si asgjë më pak se “e tmerrshme”.
Policia dhe rojet e burgut serb hapën zjarr dhe hodhën granata në drejtim të tyre. Ata që mbijetuan kujtojnë se ata u sulmuan gjithashtu nga kullat e vëzhgimit.
“Ky ishte momenti më tragjik, më 22 maj, kur ata na urdhëruan të rreshtoheshim në rreshta me katër në fushën sportive,” tha Ukë Thaçi për Exit News.
“Ishte vërtet e tmerrshme. Askush nga ne nuk dinte çfarë të bënte, ku dhe si të dilnim nga ai tmerr, ” thotë ai teksa përpiqej të përmbante emocionet.
120 të burgosur u vranë dhe rreth 300 u plagosën në harkun e pesë apo dhjetë minutave.
“Ata që arritën të shpëtonin u qëlluan me snajperë. Kur shpëtuam, u fshehëm brenda puseve, por forcat paraushtarake shpejt na arritën dhe hodhën granata, që të mund të thoshin se këto krime u kryen nga NATO,” kujton Thaçi për ngjarjen.
Pas episodit tragjik, ata që mbijetuan u transferuan në një burg tjetër në Lipjan, një qytet në Kosovën qendrore.
“Nëse kishte ndonjë të plagosur në oborrin e burgut, ata [forcat serbe] i vranë. Gjatë zhvendosjes, ne u trajtuam nëmënyrë të tmerrshme. Disa nga të plagosurit u rrahën për vdekje gjatë trasferimit për në burgun e Lipjanit,” tha Thaçi.
Para se NATO të bombardonte burgun, të burgosurit shqiptarë u zhvendosën në Dubravë nga burgje të ndryshme në të gjithë Kosovën dhe Serbinë. Një fakt që, sipas Thaçit, tregon qartë se masakra ishte e planifikuar.
“Skenari u përgatit nga Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Dragoljub Jankovic, ndërsa masakra u krye nga drejtori i burgut, Aleksandar Rakocevic, si dhe mbikëqyrësi, komandanti i sigurisë dhe oficerë të tjerë,” pohon Ukë Thaçi.
Ai shton se të gjithë rojet e burgut ndihmuan këta zyrtarë të lartë të finalizonin planin e tyre.
“Ata u ndihmuan gjithashtu nga forcat paraushtarake që vinin çdo ditë rreth orës 10 të mëngjesit dhe masakronin të gjithë shqiptarët që mund të gjenin në çdo cep të burgut,” thotë ai.
Të burgosurit serbë gjithashtu u rekrutuan të merrnin pjesë në vrasjen e të burgosurve shqiptarë, sipas dëshmitarëve okularë.
“Më vonë ata u shpërblyen. Pasi u kthyen në burg, atyre iu dhanë 15 ditë si kompensim dhe ata nuk u kthyen më kurrë në burg,” shprehet Ukë Thaçi për Exit News.
Meqenëse asgjë nuk është bërë për t’i sjellë autorët para drejtësisë, Thaçi punoi për dhjetë vjet për të dokumentuar krimin, duke mbledhur dëshmi, dokumente dhe fotografi të masakrës së Dubravës. Thaçi madje publikoi edhe një libër me 500 faqe.
“Shteti duhet të kishte mobilizuar menjëherë Institutin për Hetime Penale Ndërkombëtare. Asgjë nuk është bërë në lidhje me këtë masakër,” deklaron ai.
Pas botimit të librit të tij, Thaçi u intervistua nga Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për dy ditë. Sidoqoftë, ai thotë se asgjë nuk ka dalë ende nga ai hetim.
Burgu i Dubravës është ende funksional. Në vitin 2018, ish-të burgosurit që i kanë mbijetuar masakrës mbollën pemë në vendin ku ishin rreshtuar dikur, duke krijuar “një mur të gjallë” në kujtim të atyre që vdiqën.
Vetë Ukë Thaçi u la i lirë vetëm në vitin 2001, dy vjet pas përfundimit të luftës, pasi u transferua nëpër disa burgje në të gjithë Serbinë.