
Epidemia e Covid-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kaloi 1 milionë të infektuarit të martën, ndërsa tashmë janë mbi 57 mijë viktima.
U deshtën 18 ditë që infeksioni të dyfishonte shifrat nga 500 mijë në 1 milionë të sëmurë ndërkohë që rreth 300 mijë të infektuar janë në New York.
Hamendësohet se deri në gusht, numri i viktimave të shkojë deri në 74 mijë.
Tashmë Covid-19 është në librat e historisë së SHBA-ve për më shumë viktima të shkaktuar se Lufta e Koresë 1950-53 (36 500 viktima).
Me prirjen që ka epidemia, koronavirusi pritet të tejkalojë edhe bilancin tragjik të Luftës së Vietnamit (58 200 viktima).
Që pas përhapjes së virusit në Kinë, 6 muaj më pas, në rang botëror numri i të infektuarve është mbi 3 milionë njerëz, prej të cilëve mbi 213 mijë kanë vdekur.