Mbyllet Sheshi Skënderbej—fillon zbatimi i vizionit Rama për qendrën e Tiranës

Mbyllet Sheshi Skënderbej—fillon zbatimi i vizionit Rama për qendrën e Tiranës

Bashkia e Tiranës ka filluar rrethimin e Sheshit Skënderbej, për të filluar punimet për rindërtimin e tij.

Gjatë periudhës së verës, Bashkia sajoi me ngut disa takime të informimit të publikut, të cilat në fakt u bënë në injorim të plotë të detyrimeve ligjore që rregullojnë procesin e informimit të publikut.

Megjithatë i gjithë projekti mbetet ende i panjohur për publikun—asnjë e dhënë bazë dhe informacion tjetër i projektit nuk është bërë publik ndonjëherë. Nuk është bërë publik projekti arkitekturor dhe komponentët e projektit; nuk është bërë publike zgjidhja e menduar për trafikun dhe transportin publik nga mbyllja e sheshit; nuk dihet kostoja e projektit; nuk dihen studimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis të punimeve; etj. Me pak fjalë, nuk ka asnjë informacion, asnjë të dhënë, asnjë detaj publik.

E vetmja gjë që u është treguar qytetarëve të Tiranës janë 4-5 imazhe render kompjuteri të cilat janë më afër me propagandës se realitetit.

Sikur të mos mjaftonte kjo errësirë informative, në mënyrë të beftë para rreth katër javësh, Kryeministri Rama “njoftoi” me Facebook se në Sheshin Skënderbej do të ndërtohej edhe një parkim i madh nëntokësor. Njoftimin prej disa fjalësh, ai e shoqëroi me disa foto render të parkimit, dukshëm të zbukuruara pasi ndër të tjera paraqisnin pemë nëntokësore.

Asnjë informacion tjetër nuk u është bërë publik për këtë projekt të ri në shesh.

Rindërtimi i Sheshit Skënderbej ka qenë një ide e hershme e Kryeministrit Rama që posa ai erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës. Nën udhëzimet e tij u hartua një projekt për rindërtimin e sheshit nga studioja belge 51N4E—e cila ka lidhje shumë të ngushta me Kryeministrin Rama përfshi projektimin e vilës së tij private në Surrel—dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit me të cilin ka realizuar disa projekte të artit bashkëkohor.

Ky projekti filloi të zbatohej në vitin 2010, por me ardhjen në krye të Bashkisë të Lulzim Bashës në vitin 2011, punimet u ndërprenë dhe sheshi u kthye në gjendjen që është sot.

Por, një vit më parë, posa në krye të Bashkisë Tiranë erdhi Erion Veliaj, ai u angazhua menjëherë për rifillimin e rindërtimit të sheshit sipas projektit të hershëm të Zotit Rama.

Projekti i Sheshit Skënderbej është vetëm një nga disa projektet që Zoti Rama ka planifikuar të zbatojë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, nga Sheshi Skënderbej tek Sheshi Nënë Tereza, ku përveç rindërtimit të sheshit, përfshihen: parkimi nëntokësor në sheshin Skënderbej; i ashtuquajturit Parku i Besimit para Piramidës dhe në hapësirën përballë Rognerit—mbjellja e të gjitha varieteteve të pemëve që janë përmendur në Bibël, Kuran dhe Torah; ndërtimi i stadiumit të ri, i cili gjithashtu do të përfshijë një parkim të madh në Sheshin Italia përpara tij, kthimi i vetë sheshit Nënë Tereza në shesh për lojra dhe zonë sportive; ndërtimin në krah të Korpusit të Universitetit; për të vazhduar pastaj me disa ndërtime në Parkun e Liqenit.

Nëse këto projekte do të realizohen, qendra e Tiranës do të ndryshohet rrënjësisht dhe karakteri dhe identiteti i saj i dikurshëm do të humbasë, duke u zëvendësuar apo plotësuar me vizionin dhe shijet e Kryeministrit Edi Rama për qendrën e Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>