Debati më i madh lidhur me protestën e studentëve, përtej të tjerave, gjatë ditëve të fundit ka qënë pjesa : ‘’politike’’ apo ‘’jopolitike’’. Situata aktualisht është shumë më tepër sesa për të thënë thjesht ‘’po’’ ose ‘’jo’’. Vendi ka shumë probleme dhe ngërçe, të cilat ë bëjnë protestën kaq të larmishme.
Fillimisht organizimi dhe mënyra sesi të gjithë shkuam në shesh ishte absolutisht jopolitike; me një frymë solidariteti, mirëkuptimi, iu bashkuam një kauze të përbashkët, për hir të familjeve tona dhe situatës që ato përjetojnë çdo ditë.
Protesta e studentëve e shkundi paksa shoqërinë dhe qeverinë. Ndoshta kjo protestë i la qeveritarët tanë pa gjumë, njësoj sikur ato kanë lënë për vite me radhë prindërit tanë.
Protesta erdhi në një kohë kur në Shqipëri frika, terrori dhe propaganda e kishin vrarë frymën e protestës dhe bashkimit. Ajo u bë zëri i shumë problemeve tona, të cilat nuk mbinë nga askundi, pa asnjë shkak e pa asnjë përgjegjës. Eshtë një problem shumë i madh ekonomik, një gjendje e mjerueshme e cila shkakton ketë fryrje, këtë irritim tek të gjithë ne.
Studentët shqiptarë sot nuk protestojnë thjesht për një çështje tarife, për një VKM, ose për përfaqësimin në borde administrimi. Ata protestojnë ndaj të gjitha vendimeve e reformave në favor të oligarkisë dhe në dëm të qytetarëve të thjeshtë. Për shembull, qeveria zgjedh të:
– Vendosë TVSH-në për biznesin e vogël, i cili përbën 15.7 për qind të nivelit të përgjithshëm të pagave, dhe të përjashtojë për 10 vite nga taksimi hotelet me 5 yje, të cilat sëbashku me bizneset me mbi 50 punonjës përbëjnë vetëm rreth një përqind të totalit të ndërmarrjeve.
– Të miratojë një ligj “Për Arsimin e Lartë’’, i cili rrit tarifat për studentët e universitetit publik dhe hap fondet publike për universitetet fitimprurëse private.
– Të bëjë çdo projekt me partneritetet publike private, të cilat janë kontrata korruptive, që i vendosinçdo shqiptari të porsalindur një barrë prej 3100 eurosh.
– Të rrisë kostot e jetesës në raport të zhdrejtë me rritjen ekonomike dhe nivelin e pagave.
Kjo protestë i tregoi qytetarëve se çfarë do të thotë llogaridhënie publike. I tregoi atyre të mos mjaftohen me një Kryeministër i cili mbledh rreth vetes njerëzit e tij, mbush rreth 100 karrige me Yes-Men me pyetje të parapërgatitura, hedh edhe dy batuta, shkon drekon në një familje të varfër dhe kthehet i lumtur e i gëzuar, duke postuar në Facebook ‘’punën’’ dhe duke detyruar FRESSH-istat e çdo punonjës të administratës t’i bëjnë Share.
Protesta i tregoi qytetarëve se jeta jonë nuk është virtuale. Përtej projekteve 3D studentët nuk kanë kushtet më minimale të jetesës në konvikte. Universitetet nuk kanë salla të ngrohta, laboratore, e aq më pak fonde për kërkimin shkencor.
Protesta i tregoi qytetarëve se ligji i arsimit të lartë është vetëm sipërfaqja e problemit. Ai nuk është shkaku kryesor i mjerimit të studentëve. Ligji i arsimit nuk është arsyeja pse papunësia tek të rinjtë është sa dyfishi i totalit të përgjithshëm të papunësisë; pse të rinjtë detyrohen të punojnë nga dy punë për të përballuar koston e jetesës; pse 79 për qind e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria e të mos kthehen më kurrë; pse prindërit tanë kursejnë bukën për të arsimuar fëmijët; gra, nëna, motra e baballarë, të cilët u përlotën kur panë studentët sesi protestojnë, sepse kujtojnë sakrificën e tyre dhe mundin e fëmijëve të tyre për t’i bërë ballë kapitalizmit të egër, që në Shqipëri po shfaqet në format më të errëta të tij.
Kjo qëndresë vërtetoi faktin se sot fatet e Shqipërisë janë të përqendruara vetëm në një dorë — tek Kryeministri. Pafuqia e Ministres Nikolla për të vendosur qoftë edhe nëse do të dorëhiqet apo jo e tregon qartë këtë fakt.
Për të mos pranuar dështimin e ligjit të arsimit të lartë, për të mos pranuar dështimin e një sërë reformash që lidhen me të, për të shkarkuar barrën e përgjegjësisë nga qeveria e duke e shpërndarë atë drejt Universiteteve, nuk mund të privohen 140 mijë studentë të Universiteteve, qindra gjimnazistë së bashku me familjet e tyre. Nuk mund të mbahet peng e ardhmja. Prandaj Kryeminsitri duhet t’i kishte lënë monologjet në Facebook, apo bisedat e sajuara me vartësit e tij të FRESSH-it për t’i dhënë zgjidhje problemeve, dhe në një fjalim të shkurtër 5 minutësh të kërkonte ndjesë për kaosin e shkaktuar e të shikonte rrugën e tij, larg nga pozicioni aktual, larg nga politika.