Mendime të vogla: numrat e mjerë të ndihmës ekonomike të qeverisë

Nga Neritan Sejamini
Mendime të vogla: numrat e mjerë të ndihmës ekonomike të qeverisë

Qeveria ka vendosur një sërë masash të reja për të lehtësuar pasojat ekonomike të krizës së koronavirusit: do t’u japë 176 mijë individëve që kanë humbur rrogën një pagesë të vetme prej 40 mijë lekë (rreth 320 euro); një garanci 15 miliardë lekë garanci për hua zhvillimore.

Si duhet gjykuar e gjithë ndihma e deritanishme? Në dy kritere: si krahasohet ajo me mundësitë e qeverisë, dhe sa mund t’i arrijë ajo qëllimet për të cilat po jepet.

Sa shumë para po jep qeveria?

Në total me të dy paketat, qeveria do japë 13,5 miliardë lekë (rreth €108 milionë) për rrogat e humbura dhe 4,5 miliardë lekë (€36 milionë për shëndetësinë dhe ndihmë për shtresat në nevojë—16 miliardë lekë ose rreth €144 milionë euro në total).

Kjo shumë është sa rreth 2,87 për qind e buxhetit të vitit 2020 ose 0,97 për qind e prodhimit të përgjithshëm të vendit (në nivelin e vlerësuar për vitin 2019).

Është fond minimal, plotësisht i përballueshëm nga buxheti, pa patur nevojë për të marrë borxh, vetëm duke shkurtuar aktivitete e shërbime të panevojshme.

Sa për ide krahasuese, fondi buxhetor i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes (pa rrogat) është 50 miliardë lekë për vitin 2020—mbi tre herë më i lartë se fondi i deritanishëm për krizën e koronavirusit.

Qeveria ndërkohë ka marrë hua dhe ndihmë për krizën. Vetëm dy javët e fundit, ajo ka marrë €1o0 milionë euro borxh nga publiku, duke shitur bono thesari; €174 milionë hua nga FMN-ja dhe €50 milionë ndihmë falas nga BE-ja—në total €324 milionë, €274 milionë hua dhe €50 milionë falas.

Gati gjysma e €108 milionë që qeveria do japë për rroga do të kompensohen nga ndihma e BE-së (nuk ka rëndësi se €50 milionët e saj mund të përdoren direkt për tjetër nevojë).

€93 milionët e mbetura nga totali i të dy paketave—€58 milionë nga totali i pagesave për rroga dhe €35 milionë për shëndetësinë dhe mbështetjen sociale—mund të paguhen nga dy huatë e mësipërme.

Kjo do të thotë se qeveria mund të paguajë çfarë ka premtuar në të dyja paketat dhe do t’i mbeten €181 milionë të tjera vetëm nga fondet e marra këto dy javë nga publiku, FMN-ja dhe BE-ja.

Po lë mënjanë në këtë vlerësim, €105 milionë të tjera që BE-ja ka dhënë Shqipërisë për pasojat e tërmetit—në fakt vetëm me fondet që po merren nga BE-ja kompensohen thuajse të gjitha pagesat që qeveria ka bërë deri më sot për koronavirusin dhe tërmetin bashkë.

Për ta mbaruar këtë vlerësim shifrash, qeveria ka premtuar 15 miliardë lekë (rreth €120 milionë) garanci sovrane për huatë nxitëse për bizneset (po e anashkaloj pagesën e interesit që është ende e paqartë).

Por qeveria nuk ka nevojë të bllokojë apo angazhojë fonde konkrete për të dhënë garancinë sovrane. Edhe pse kjo shumë do të llogaritet në borxhin publik, efekti i saj në buxhetin e këtij viti është zero—në varësi të kohëzgjatjes, periudhës fillestare të mospagimit, dhe nivelit të moskthimit në të ardhmen të huave nga bizneset, do të vendoset ndikimi i garancisë buxhetin e viteve të ardhshme.

Garancia e parë prej 100 miliardë lekësh për huatë e biznesit të madh për rroga ishte dështim, ndaj nuk po ndalem në të.

A do të arrijë qëllimin ndihma e dhënë?

Angazhimi i mangët financiar i qeverisë bëhet më i dukshëm nëse vlerësohet ndikimi i mundshëm i ndihmës së angazhuar: sa e lehtëson ajo gjendjen e familjeve dhe sa mund t’i ndalë ajo pushimet masive të punonjësve?

Po e filloj nga e dyta. Në mënyrë paradoksale, ndihma prej 40 mijë lekë do të jepet vetëm për punonjësit e bizneseve të mëdha të pushuar nga puna. Nëse bizneset nuk i pushojnë punonjësit, duhet t’ua paguajnë vetë rrogat—ky është stimul negativ: bizneseve do t’u interesojë t’i pushojnë njerëzit nga puna, aq më tepër që me këtë nivel papunësie, rimarrja në punë është e lehtë.

Në fakt, një pagesë e vetme 40 mijë lekë për 176 mijë të punësuar nuk garanton qëndrimin e askujt në punë—kjo shumë është thjesht sa një rrogë mujore (përfituesit janë të detyruar të paguajnë edhe rreth 8 mijë lekë në muaj sigurime shoqërore), ndërkohë që shumë biznese do të vuajnë për shumë muaj pasojat e krizës.

Turizmi dhe sektorët e lidhur me të kanë humbur punën apo të ardhurat e gjithë vitit; fasonët kanë humbur punën e një pjesë të madhe të vitit; është e arsyeshme të thuhet se thuajse të gjitha bizneset nuk do të arrijnë të fillojnë ngritjen para shtatorit—rënia e fuqisë blerëse të njerëzve dhe sezoni i verës janë faktorë negativë për shumë aktivitete ekonomike.

Në këto kushte mund të thuhet me siguri se një pagesë e vetme 40 mijë lekë për punonjës nuk do mund të ndalë pushimet masive nga puna.

Sa i përket lehtësimit të jetesës, 40 mijë lekë natyrisht është më shumë se asgjë—për disa familje ajo mund të jetë diferenca mes urisë dhe mbijetesës. Por kjo shumë nuk do të mund shmangë varfërinë në shumicën e familjeve shqiptare, të cilët do të mbeten pa asnjë të ardhur për disa muaj rresht.

Si rezultat, Shqipëria do të ndeshet me një nivel të rritur të varfërisë dhe pasojave të saj dhe me rendiment të ulët ekonomik.

Mendime të vogla

Qeveria po tregohet e kursyer në mënyrë të paarsyeshme, çfarë mund të sjellë më shumë pasoja për njerëzit, ekonominë dhe vetë financat publike në periudhën afatmesme.

Është e vërtetë se ajo po pret që të bien të ardhurat buxhetore pasi aktiviteti ekonomik i vendit do të tkurret këtë vit—FMN parashikon rënie 5% të ekonomisë.

Por qeveria mund të lirojë dhe sigurojë para. Ajo mund të ndërpresë apo ulë shpenzimet joproduktive, jo të domosdoshme për të kompensuar rënien e të ardhurave.

Mbi të gjitha, ajo mund dhe duhet të marrë borxh.

Qeveria ka mundësinë dhe duhet të sigurojë të paktën €1,5-2 miliardë hua apo ndihma për lehtësimin dhe nxitjen e ekonomisë.

Dhe duhet ta bëjë menjëherë—nëse nuk e bën tani, pas pak muajve apo javëve do të jetë vonë. Humbjet në ekonomi në 1-2 vitet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha se kursimet e këtij viti.

Ekonomia vepron me stimuj dhe varet nga faktorë psikologjikë—biznesi duhet ta dijë sot se çfarë ndihme do të marrë dhe cili është plani ekonomik i qeverisë.

Prandaj, garantimi me çdo kusht i ruajtjes së rendimentit ekonomik dhe rindezjes së shpejtë të ekonomisë duhet të dominojë mbi instiktin për menaxhimin mediokër të financave publike të këtij viti.

I shtrenjtë në krunde, i lirë në miell—është qasje e gabuar për ekonominë në krizë.

 

 

7 komente

  1. Andi 14 Prill, 2020 në 10:48 pm

    Analize shume e sakte!

  2. lideri i ekonomise 14 Prill, 2020 në 11:39 pm

    Po, mund te marrim borxh, madje dhe 1 mld, por te sigurte qe doni kete borxh te ri ta menaxhoje lideri suprem me dishepujt e tij?

    Duke ditur historikun sesi e kane shpenzuar paran socialistet me shume gjasa ky borxh do shkojne per rroga dhe PPP. 1 mld Eur borxh do merret per termetin, gjithmon nqs do merren dhe perdoren per termetin, dhe 1 mld Eur sic sugjeroni ju, e ne fund do kemi 2 mld euro borxh brenda vitit e qe nuk i dihet sesi shpenzohet dhe kush do e kontrolloje.

    • I paemer 15 Prill, 2020 në 3:31 pm

      Po ju peisni qe nje person i deshtuar si piktor, gje per te cilen eshte shkolluar, te jete i afte ne ekonomi? Apo prisni qe ekonomist i fuqishem te jete mesuesi i anglishtes? Pse mendoni se u vu minister i fatkeqesive natyrore Ahmetaj? Pergjigja eshte shume e thjeshte: Sepse di te vjedhe shume mire dhe i ndan mire me shefin. Spiropalja psh nuk gezon besim sepse ia ka hedhur nje here dhe nese tani “jane pajtuar” kjo nuk do te thote qe ka besim se parate do ndahen sic do shefi.

  3. Alketa 16 Prill, 2020 në 8:13 pm

    Mire se thoni se kan marr por neve cfar na ka mbet te marim shteti jo puna jo . Qiran thon ta shtyjn , dritat na I presin ngelemi pa ngren dhe kerkojm ndihma ne shoqata , ne fakt ato sjellin dy makarona dhe nje vaj . Kush eshte zgjidhja jon ? Te vishemi apo te ham . Ne flem duke mbajtur stomakun me dore kurse presidentet dalin ne parlament pikerisht dhe ata qe vuajn nga cfar do lloj semundje . Jemi dakort me parlamnetin dhe me edi ramen . Cfar vendimi do merret me ne qe shkojm cdo dit tek banka se ms na kan hedhur ndonje mbetje . Jam grua e divorcuar kam dhe dy femij . Ku mendon shteti per mua . Shkojm tek bashkia nuk gjejm njeri , dalin oer kafe ne fakt ska as kafe rrin ne shpi mesa duket . Nxjerrin ne rrjetet sociale numrat dhe as nuk marrin guximin te na pergjigjen . Jemi ardhes o parlament . Edi rama fjalimet qe ben te pakten te na jap ndonj fond te pakten mos te vdesin dhe ata sic vdiqen nga termeti . Ju lutem nese keni zot vendosni zgjidhje per ata qe nuk kan zgjidhje . Ne I japim votat tona kur I duan por ata ca na japin ” parlamnetin ” . Ne fakt dhe ne rrug duhet tna vendosin gjoba po kto gjobat me cfar do ti paguajm . Zgjihuni parlament . Shifni populli shqipetar po vdes

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme