Kryeministri Edi Rama deklaroi, të martën, shumica dërrmuese e studentëve kanë mundur të ndjekin mësimin online.
Në bashkëbisedimin e tij live në Instagram, ai tha se ende nuk ka një vendim për rikthimin në auditore.
“Është e kotë të bëjmë spekulime deri kur do qëndrojë kështu situata. Të gjitha vendet ndjekin afate me hamendje me shpresën që gjërat të ndryshojnë. Po të ishte për të bërë diçka drastike dhe absolutisht 100% garantuese, por që është ireale dhe e pamundur do të thoshim që të gjithë të mbylleshim në shtëpi deri kur të ikë virusi. Por kjo është e pamundur sepse jeta ka shumë nevoja”, tha Rama.
Sa i takon cilësisë së mësimit online, kryeministri tha se po bëhen përpjekje për përmirësim. Sipas tij mësimi është kryer në tërësi.
“A është bërë mësimi online me atë cilësi që e ka kompensuar plotësisht pamundësinë për të shkuar në shkollë dhe për të vijuar me mësimin tradicional besoj do ishte e tepruar. Sigurisht që është bërë, diku më mirë, diku pak më mirë por e rëndësishme është që është garantuar aksesi për shumicën dërrmuese. Por përpiqemi të përmirësohemi”, tha kryeministri.
Jo të gjithë studentët kanë pasur akses në internet dhe qeveria deri më tani nuk ka marrë asnjë paketë në ndihmë të studentëve për të siguruar internet. Në lidhje me këtë Rama tha se vlen të diskutohet mundësia për uljen e çmimit të paketave të internetit.
“Nuk është diskutuar në dijeninë time diçka e tillë, por më vjen mirë që e dëgjoj si një nxitje për ta shtruar për diskutim në mënyrë që të shikojmë se sa është e mundur në këtë fazë”, u shpreh ai.
Rama deklaroi se në buxhetin e vitit 2021 është menduar edhe pajisja me mjete teknologjike për të ndjekur mësimin online, për studentët që vijnë nga familje në nevojë.
“Ky është qëllimi, me këtë po merremi. Kemi përfshirë në buxhetin 2021 një ndihmë direkte për familjet në nevojë, jo të lidhur me COVID-in por për të gjitha familjet që të jetë marrja e dyfishit të paketës së ndihmës ekonomike, në kushtet kur duhet të kufizojë punën në të zezë, të ndihmojë më shumë fëmijët”, u shpreh Rama.