Presidenti Ilir Meta ka ftuar partitë e opozitës në një takim për të diskutuar mbi situatën politike në vend. Ftesa e Presidentit i është drejtuar Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe drejtuesve të partive të tjera opozitare LSI, PR, PL, LZHK, PAA, PDIU dhe PBDNJ.
Zëri i Amerikës raportoi se Presidenti i ka kërkuar opozitës që këtë takim ta zhvillojnë “sa më shpejt, përpara së mërkurës”. Ftesa vjen pasi Meta njoftoi se do të kallëzonte të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtesi, Ardian Dvorani. Akuzat ndaj Dvoranit janë për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit gjatë procedurave zgjedhëse të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në ftesën dërguar PD-ës, Presidenti thotë:
Nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjithë kryetarët e Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019.