“Llogaria i duhet kërkuar politikanëve shqiptarë që fshihen pas ndërkombëtarëve. populli shqiptarë duhet të çlirohet nga kjo psikozë, na e kanë thënë nderkombëtarët”, tha Presidenti Meta për rolin e ndërkombëtarëve në politikën e vendit.
Në një intervistë për “Tempora” nga Sonila Meço, presidenti Meta u shpreh se ai nuk ka marrë akoma një përgjigje zyrtare nga KLGJ, mbi kërkesën e dërguar për përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranin në Gjykatën e Lartë:
“Së pari unë nuk kam parë ndonjë vendim. Së dyti mendoj se kjo është nga çështjet më të thjeshta në botë dhe nuk duhet të ishte vënë në lëvizje nga presidenti me këtë shkresë. Kjo çështje dhe të ishte zgjidhur për 24 orë, pas emërimit të gjyqtarit Sadushi dhe dy të tjerëve në Gjykatën e Lartë.
Për mua kjo është një çështje elementare. Edhe një student që ka marrë 5 në fakultetin e Drejtësisë e zgjidh.
Unë skam marrë përgjigje akoma. Pres përgjigje. Nuk i kam dërguar asnjë kërkesë ndërkombëtareve apo OJQ-ve ndërkombëtare.
Ne e shkelim vetë kushtetutën për radhën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetutës, jo për këtë rast. Unë i kam bërë një shpresë zyrtare KLGJ-së.
Nuk duhet ta bëja unë, pasi kjo çështje duhet të zgjidhet 24 orë pas emërimit të Zotit Sadushi. Tani janë tashmë 3 gjyqtarë, ndërsa mandati i katërt i takonte Zotit Zaganjori. Unë pres përgjigje nga KLGJ. Jam i qetë”.
Presidenti Meta shtoi se ai është përpjekur të parandalojë këto situata dhe kriza në zbatim të kushtetutës.
“Unë jam i vetmi aktor si presidenti, por edhe si ish-kryetari i kuvendit që ka qenë më i hapuri, me transparenti dhe më bashkëpunuesi që është përpjekur të parandalojë këto situata dhe kriza në zbatim të kushtetutës. Nuk na i ka fajin kushtetuta, por njëanësia ekstreme që është vënë re në zbatimin e reformës përmes shkeljeve të kushtetutës dhe gjithmonë gjendet alibia partnerët”.