Presidenti Ilir Meta i është drejtuar sot opozitës duke i kërkuar që ajo të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.
Përmes një postimi në Facebook, Meta bëri krahasim me gjendjen që kishte Serbia gjatë viteve ’90 nën drejtimin autoritar të Slobodan Millosheviçit ku pavarësisht situatave opozita e atjeshme u bashkua, u përball dhe e mundi:
Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra. Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës.
Me këtë krahasim Meta nënkupton se pavarësisht pushtetit autoritar që ka ngritur qeveria e socialistëve, opozita duhet të përballet me të në zgjedhje.
Ai thotë se “vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten”.
Dy muajt e fundit Presidenti Meta është përpjekur t’i bindë palët politike të marrin pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.
Socialistët nuk i janë përgjigjur në asnjë moment pozitivisht këtyre thirrjeve, madje e kanë konsideruar çështjen e zgjedhjeve vendore të përfunduar më 30 qershor.
Për sa i përket opozitës, tre parti: Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia Republikane kërkuan nisjen e procedurave për zgjedhjet e 13 tetorit.
Ndërsa mediat në përgjithësi janë fokusuar te mungesa e një kërkese të ngjashme nga ana e Partisë Demokratike, mbledhjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë dështuar, pasi katër anëtarët socialistë e kanë bojkotuar atë duke bërë që KQZ të mos ketë kuorum për të marrë vendime.
Megjithatë Presidenti vazhdon të këmbëngulë duke i bërë thirrje edhe opozitës e madje duke e konsideruar mos-pjesëmarrjen e saj në zgjedhje si justifikim:
Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi! 18 tetori po afron!
Ditët e shkuara Meta i qe drejtuar edhe socialistëve, të cilët i ka cilësuar si pakica që nuk do rotacion, pasi sipas tij ata nuk janë të interesuar që ta zgjidhin krizën politike edhe pse më 18 tetor kjo gjendje mund të ndikojë në rezultatin e hapjeve apo jo të negociatave me Bashkimin Evropian.