Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka qënë të dielën në Korçë me rastin e festës së 7 Marsit.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Meta njoftoi se ka nderuar një grup “mësuesish, edukatorësh, pedagogësh e drejtuesish të paharruar të shkollave të këtij qyteti, që aq shumë kanë sakrifikuar për përhapjen e dritës së dijes dhe edukimit patriotik të rinisë.”
Ai shpreh mirënjohje për brezat e mësuesve shqiptarë që kanë dhënë jetën e tyre për të mbrojtur gjuhën e arsimin shqip.
Presidenti bëri thirrje për angazhim për të mos lejuar më që mësuesit dhe rinia të braktisin atdheun.
Në vijim, statusi i plotë:
“Nga Korça, djepi i Rilindjes Kombëtare, arsimit dhe kulturës shqiptare, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja me rastin e 7 Marsit, një buqetë të nderuar mësuesish, edukatorësh, pedagogësh e drejtuesish të paharruar të shkollave të këtij qyteti, që aq shumë kanë sakrifikuar për përhapjen e dritës së dijes dhe edukimit patriotik të rinisë.
Mirënjohje përjetë për të gjitha brezat e mësuesve shqiptarë, të cilët me vizion e patriotizëm dhanë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip.
Të angazhohemi së bashku për të bërë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar më, që mësuesit dhe rinia jonë e mrekullueshme të braktisin Atdheun, por ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre të sigurt, plot krenari dhe besim.
GËZUAR 7 MARSIN! “