Presidenti Meta i quajti ‘tronditëse’ konkluzionet e raportit të DASH-it për mungesën e investimeve amerikane në Shqipëri, si pasojë e korrupsionit dhe klientelizmit.
Në një postim në Facebook, presidenti u shpreh se ‘klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë.’
Meta kujtoi se në rolin e presidentit ai ka kthyer disa ligje të qeverisë Rama, lidhur me pronat apo favorizimin e një grupi njerëzish:
“Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.”
Presidenti theksoi se i ka kërkuar SPAK-ut që të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.
Për të lexuar më shumë për raportin e DASH-it për klimën e investimeve në vend, klikoni këtu dhe këtu.