Presidenti Ilir Meta ka nisur të kritikojë Kryeministrin Edi Rama në lidhje me reformën në drejtësi. Në një postim të publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook, Meta denoncon se si Rama veproi në mënyrë antikushtetuese në vendosjen e një Prokuroreje të Përkohshme të Përgjithshme, duke e kthyer reformën në “ramaformë” sikurse e ka etiketuar Presidenti.
Meta shkruan se Kryeministri anashkaloi procedurat që ishin parashikuar nga kushtetuta dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias duke emëruar në mënyrë të njëanshme Prokurorin e Përgjithshëm.
Si fillim Presidenti përmend faktin se ndryshimet kushtetuese të vendosura sipas këshillave të Komisionit, u miratuan në korrik të vitit 2016 me 140 vota të Parlamentit.
Më tej ai kujton një detaj, të cilin Komisioni kishte vendosur për të garantuar “mos-kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm” dhe “cilësi të pakompromentuara të tij”.
Meta thotë se me rekomandimin nga Komisioni, përmes një dispozite kalimtare në Kushtetutë, qe vendosur që deri në shtator të vitit 2017 Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhej me 94 vota dhe pas shtatorit me 84 (3/5).
Kjo sipas Metës ishte garanci që qeveria në pushtet e përbërë asokohe nga koalicioni Parti Socialiste-Lëvizje Socialiste për Integrim të mos e emëronte Prokurorin e Përgjithshëm pa dakordësinë me opozitën.
Mirëpo kjo gjë u shkel kur Rama mori i vetëm qeverinë pas shtatorit 2017 dhe zgjodhi një kryeprokurore me 69 vota. Meta shkruan:
Timoneri (Kryeministri), në mënyrë shumë krijuese, nëpërmjet një ligji shpiku një “PPP” (Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm), institucion ky që nuk ekziston asgjëkundi në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me 140 vota në 21-22 korrik 2016. Falë vizionit të Ulsiut dhe çertifikatës së ekspertëve të EURALIUS e jo vetëm, nëpërmjet një intepretimi artistik, Timonieri ia doli që në dhjetor 2017 të zgjidhte Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP) vetëm me 69 vota. Kjo është mënyra antikushtetuese se si kaluam nga reforma me 140 vota në Ramaforma me 69 vota.
Sipas Presidentit ky moment ishte “momenti kyç” nga ku reforma në drejtësi u kalua në “ramaformë” duke lidhur këtë moment me vazhdimësinë e skandaleve të pahetuara që ndodhën më pas me tenderat publikë. Meta i quan ato “rekorde” “të çmimit për kilometër për autostradat dhe veprat e tjera publike”.