Kryeministri Rama, në monologun e së dielës, mori në mbrojtje policinë e shtetit lidhur me grabitjen e 3,2 milionë dollarëve ditën e enjte, 9 shkurt.
Kryeministri akuzoi bankat si bashkëfajtore në këto grabitje dhe sulmoi median “për pisllëkun që po hedhin ndaj qeverisë për grabitjen e një banke”.
Sipas Zotit Rama, Policia e Shtetit ka hetuar dhe zbardhur ngjarje të ngjashme, si grabitja në aeroportin Rinasit, pavarësisht se deri më tani, prokuroria ka kërkuar vetëm dënimin e 6 personave të dyshuar për bashkëpunëtorë me grabitësit, por këta të fundit nuk janë kapur ende.
Ndër të tjera në monologun javor, kryeministri Rama deklaroi:
- Ku bën vaki të sulmohet qeveria dhe policia si të ishin organizatorë apo autorë të grabitjes së një banke? Kjo ndodh vetëm në pisllëkun politik e mediatik ku janë të zhytur kundërshtarët pa din dhe komentatorët pa iman të reformave tona.
- Tellallët e pandregjshëm të së shkuarës dhe avoketërit e paskrupullt të të varfërve që maj foltores së kuvendit apo banakëve të medias rreken si të marrë të krijonë një panoramë për të çoroditur njerëzit e zakonshëm.
- Në kohën e qeverisë së mëparshmë bankat janë grabitur 32 herë. Në këto raste, ashtu si në rastin e fundit grabitjet kanë qenë të organizuar nga një ndihmë brenda këtyre institucioneve që kanë rënë viktimë.
- Suksesi i grabitjeve ka qenë i lidhur edhe me sisteme mizerabël sigurie dhe me refuzimin e pajustifikueshëm për të zbatuar masat sugjeruar në mënyrë të përsëritur nga policia e shtetit.
- Policia e Shtetit ka zbardhur plotësisht qoftë rastin e bujshëm të Rinasit, qoftë atë të bankës së grabitur në qendër të Tiranës.
- Ç’mund të bëjë një polici kur banka nuk është e përgatitur që të lajmërojë në çast policinë?!