Gjykata e Posaçme Antikorrupsion shtyu sot seancën ndaj të akuzuarve për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë Arbër Çekaj, Donald Lushaj dhe Armando Pezaku. Sërish shkak për shtytjen u bë mungesa e avokatëve. Seanca e rradhës do të zhvillohet më 8 janar.
Arbër Çekaj i kërkoi gjykatës zëvendësimin e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili. Sipas Çekaj, prokurori Kondili manipulon provat dhe për këtë fakt ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Kjo është hera e tretë që seanca për Çekaj shtyhet.
Në shkurt 2018, 613 kilogramë kokainë kolumbiane u trafikuan në Shqipëri përmes kontejnerët të bananeve të porositura nga firma shqiptare “Arbi Garden”, në pronësi të Arbër Çekajt. Në flagrancë u arrestuan menaxheri i kompanisë, Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit, Armando Pezaku.
Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj 2018 për llogari të drejtësisë shqiptare për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi për ekstradimin e tij u dha nga Gjykata e Dusseldorfit në korrik 2019.
Arbër Çekaj u ekstradua nga Gjermania më 19 shtator 2019 dhe doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda më 21 shtator, ku u konfirmua masën e arrestit ‘arrest me burg’.
Në nëntor, prokuroria kërkoi 21 vite burg për Arbër Çekaj, ndërsa për dy të akuzuarit e tjerë Donaldo Lushajn, menaxher i kompanisë, dhe Armando Pezakun, shoferin e kamionit, 6 dhe 8,8 vite burg.