
Në vend ka variante të reja të virusit Covid-19. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama në një bisedë më gazetarët, të henën. Ai tha se “po rritet infektimi i moshave të reja dhe po ulet mesatarja e moshës për të shtruarit në spitalet Covid”.
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu njoftoi se në vend është rritur norma e të infektuarve në 419 raste të reja për 100 mijë banorë, mesatarja e rasteve ditore si dhe numri i vdekjeve. Të dielën në vend u shënuan 14 viktima dhe 1,124 të infektuar.
Javën e kaluar në Gjermani u identifikua një shqiptare e infektuar me mutacionin britanik të koronavirusit, e cila vinte nga Shqipëria.
Më 27 janar, në emisionOpen, Shefja e epidemiologjisë Silva Bino tha se në vend ka 2 raste të mutacioneve të virusit në Elbasan.