Naftëtarët e Ballshit, të cilët prej 5 muajsh nuk janë paguar, paralajmëruan sot se do t’i bashkohen grevës së urisë së punëtorëve të stacionit të pompimit të ujit dhe nënstacionit elektrik të Poçemit. Këta të fundit kanë nisur grevën e urisë më 13 shkurt pasi kanë 27 muaj pa marrë rrogat.
Dy grupet e punëtorëve, pjesë e uzinës së naftës në Ballsh, u shprehën se kompania që menaxhon uzinën, ka afat deri sot në orën 14:30 për të marrë masa konkrete për pagesën e rrogave, përndryshe greva e urisë do të vazhdojë dhe asaj do t’i bashkohen dhe më shumë naftëtarë.
Ata shprehën qartë dy kërkesat e tyre të panegociueshme për kompaninë:
-shlyerja e pagesave të prapambetura si për punëtorët e pompimit të Poçemit, ashtu dhe për naftëtarët;
-vazhdimësia e punës së uzinës dhe nënshkrimi i kontratave të reja.
Naftëtarët thanë se janë thirrur nga përfaqësues të kompanisë për një takim dhe nëse ata nuk pranojnë të përmbushin kërkesat e tyre, atëherë të gjithë ata do të nisin grevën e urisë.
“Ka pasur një zhvillim, thirremi në mëngjes se kompania ka një takim. Na është kërkuar që të mos hyjmë në grevë deri në orën dy. Në 14:30 do vij nga Fieri, nëse nuk plotësohen kriteret e panegociushme, hyjmë në grevë”, u shpreh një prej përfaqësuesve të naftëtarëve.
Ndërkohë punëtorët e pompimit të Poçemit kanë filluar të shfaqin shenjat e para të problemeve shëndetësore, pas 5 ditësh grevë urie.
“Gjenda jonë është e rënduar, me tension të lartë e të ulët. Kërkesat tona dihen se kush janë kërkojmë rrogat e prapambetura dhe më pas shikojmë kontratën në vazhdim. Nuk kemi parë asnjë përfaqësues së shtetit. As deputetin e zonës. Po të ishin për vota do vinin këtu direkt. Se kemi parë shtetin këtu fare”, u shpreh një prej grevistëve.
Një tjetër, për të cilin mjekët rekomanduan ndaljen e mënjehërshme të grevës dhe shtrimin në spital për shkak të problemeve shëndetësore, tha se nuk do të tërhiqet nga greva:
“I sëmurë jam. Doktori më tha je për serum, do t’i përgjigjem mjekësisë, por do vij prapë në grevë. Kam katër fëmijë. Kam vajtur në fund fare. Asgjë nuk kam. Ka vajtur sa nuk mban më puna.”
Një ditë më parë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, përmes një letre drejtuar prokurorisë e ministrisë së Energjisë, i kërkoi shtetit ndërhyrjen për të detyruar kompaninë të paguajë punëtorë.
Zonja Kryemadhi akuzoi ministrinë e Energjisë si përgjegjësen kryesore për shkeljen e kontratës dhe të drejtave të punëtoreve nga kompania:
“Agjensitë shtetërore dhe përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka përgjegjësinë e monitorimit dhe ndjekjes së zbatimit të kontratës mes subjektit privat që administron stacionin dhe punonjësve, ka qenë tërësisht jashtë funksionit dhe ka qenë në vetëdije të plotë për shkeljen për një kohë të gjatë të të drejtave bazë të punonjësve.
Kërkoj që agjensitë shtetërore të marrin masat e menjëhershme, me të gjitha mekanzimit që ligji mundëson për të kryer pagesat e të gjitha pagave të prapambetura për punonjësit e stacionit të pompimit në Poçem, pasi përveç të tjerash kjo situatë ka krijuar edhe një tensionim shumë të rëndë social për familjet e tyre të varfëra të cilat kanë mbetur pa të ardhura dhe po vuajnë në varfëri ekstreme.”