Në 16 korrik, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit do të zhvillojë seancën e parë gjyqësore për çështjen Ylli Ndroqi-Erion Veliaj.
Presidenti i Yldon Media Group, Ylli Ndroqi, e ka paditur në SPAK kryebashkiakun Veliaj për moskallëzim krimi, shpifje dhe prishje të imazhit.
Ndroqi akuzon Veliajn se përmes shpifjes ka prishur në publik imazhin e medias së tij, RTV Ora, dhe gazetarëve të tij.
Po ashtu, ashtu Ndroqi pretendon se me që Veliaj ka deklaruar publikisht se ‘i njeh me emër dhe mbiemër’ ata persona që janë munduar t’i vënë gjoba për të përfituar nga paratë publike të Bashkisë Tiranë, ai duhet t’i kishte paditur ato. Duke qenë se Veliaj nuk i ka paditur, atëherë ai akuzohet për ‘moskallëzim krimi’.
“Duke qenë se z. Veliaj publikisht e ka pranuar se është në dijeni të faktit se persona të cilët ai “i njeh me emër dhe mbiemër”, kanë kryer krimet e mësipërme, kishte detyrimin ligjor për kallëzimin e tyre. Ndodhur në këtë situatë z. Veliaj ka fshehur krime të shumta që kanë ndodhur ose kanë tentuar të ndodhin në institucionin që ai drejton dhe për të cilin ai deklaron se ka dijeni të plotë, madje se i njeh ata me emër dhe mbiemër”, shkruan Ndroqi në padi.
Prej disa kohësh tashmë, Kryebashkiaku Veliaj dhe pronari i televezionit Ora News kanë shkëmbyer akuza të forta kundër njëri-tjetrit për shantazh.
Veliaj ka lënë të kuptohet se Ndroqi e ka shantazhuar përmes kronikave që sulmojnë dhe kritikojnë punën e bashkisë. Ndërsa Ndroqi ka deklaruar se puna e gazetarëve është e tillë, të vënë para përgjegjësisë pushtetetarët.
Ndroqi është shprehur se Veliaj mund të reagojë përmes rrugëve zyrtare, ‘nëse ka pretendime nga puna e bërë prej gazetarëve.’