Në një prej lëndëve që jap mësim—Politika e Lindjes së Mesme—trajtoj disa tema tepër të vështira për t’u diskutuar, pasi shumë prej studentëve ose kanë mendime paraprake për temën, ose janë personalisht të prekur nga ajo. Si rezultat, edhe më të mirët prej tyre janë të prirur t’i quajnë mendimet me të cilat nuk janë dakord si “raciste,” “islamofobe/anti-semite,” “anti-amerikane,” etj.
Kështu që, përpara se të lejoj diskutim mbi to, ua bëj të qartë studentëve se të quash dikë “anti-semit” apo “islamofob” na jep shkak t’i shpërfillim dhe të mos i kuptojmë ato pikëpamje. Ndonjëherë këto etiketime janë të përligjura, por më shpesh ato përdoren si strategji për të ndaluar dhe minimizuar debatin racional nëpërmjet demonizimit të pikëpamjeve dhe njerëzve me të cilët nuk jemi dakord.
Kur lexoj fjalimet apo statuset e Edi Ramës, Erion Veliajt, apo zyrtarëve të tjerë ndaj kritikëve të qeverisë, e ndjej akoma më të nevojshme t’ua theksoj dhe ritheksoj studentëve faktin që nuk mund të kesh debat konstruktiv duke quajtur oponentin tënd “injorant,” “agjent i Shqup-it,” “keqdashës,” “fodull,” “baltaxhi,” apo një sërë etiketimesh të tjera përçmuese.
Por, këto javët e fundit më kanë bërë të pranoj se në raste të caktuara, kjo lloj retorike ofenduese ka një rezultat të paparashikuar nga vetë ofenduesit: e përdorur në mënyrë gjithëpërfshirëse kundër kritikëve, rrezikon t’i bashkojë ata. Etiketime të cilat nënkuptojnë se kritikat janë reagime të njerëzve pa inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar kompleksitetin e punëve qeveritare, bëjnë bashkë shumë prej nesh. Sikur të mos kalonte kufijtë e të pranueshmes dhe të arsyeshmes, kjo do të ishte tepër ofenduese. Por fakti që i kalon ato, është faktikisht shpresëdhënës – sa më shumë të na përfshijë kryeministri dhe qeveria e tij në këtë grup homogjen idiotësh, aq më e madhe mundësia të bashkohemi në një tallje reciproke kolektive ndaj tij.
Nuk po i futem në detaj temave kryesore të fundit që janë shkak i këtij reagimi nga ana e qeverisë, si konçesionet, ligji i arsimit, hidrocentralet në Valbonë, apo rikthimi në masë i “mushkonjave” në fshatrat bregdetare dhe ligji për importin e mbetjeve. Për këtë të fundit sidomos është shkruar mjaftueshëm dhe mjaft mirë, aq sa emisioni Publicus mori vlerësimin më të lartë të momentit, që në vendet autoritare njihet me titullin e nderit “censurë e plotë.” Po përqendrohem thjesht te disa nga reagimet e qeverisë ndaj protestës popullore në rritje.
Njerëzit janë mjaft të shqetësuar se koncesionet po shkatërrojnë ekonominë, janë përgjithësisht afera korruptive, dhe se po rrënjosin përfundimisht një kastë të caktuar personash të cilët do të dominojnë ekonominë për breza me radhë. Por, kryeministri thotë se koncesionet janë me meritë, ekonomia është rritur, dhe se është “ekselenca” ajo që ka në dorë të ardhmen (sidomos ajo ekselencë që ka lexuar dhe mësuar përmendësh Kurbanin, mjaftueshëm për ta recituar gjatë evenimenteve të FRESSH, ku dhe bëhet kurban rinia e vendit). Si provë për këtë, qeveria nxjerr numra të cilët nuk kuptohet se nga burojnë, por që shoqërohen gjithmonë me vulën e besueshmërisë: emoticons që kryeministri përdor përkrah çdo argumenti. Sjellje e cila ka për qëllim kthimin e kritikës ndaj tij në absurditet, por që realisht është vetë shembull i absurdes.
Ndërkohë, kritikave se “ligji i miellit” është më poroz dhe problematik se ai të cilin qeveria refuzoi në vitin 2013, qeveria u përgjigjet se janë keqkuptime. Le të mos e quajmë atë “ligjin e plehrave” meqë ky term e shqetëson qeverinë, sepse kjo lojë retorike e saj nuk e ndryshon as ligjin dhe as perceptimin mbi të. Sipas qeverisë, biznesi riciklues është në falimentim dhe duhet shpëtuar patjetër (gjë që BIRN e refuzon me fakte). Ky import i “lëndës së parë” do të shpëtojë vendin nga plehrat (se si importojnë vetëm lëndë të parë për të përmbushur nevojat deri në kapacitet, por shpëtojnë vendin nga plehrat mbetet mister). Kemi laboratorë me standarde europiane të aftë të kryejnë analizat e nevojshme (s’kemi banja në spitale ndaj sigurisht që nuk i kemi laboratorët, dhe Publicus e bën këtë të qartë). Doganat janë të afta të monitorojnë importin e produkteve (këtu vetëm emoticons që i bien murit me kokë mund të kapin mjaftueshëm qartë mosbesimin tonë në mënyrë që kryeministri ta kuptojë). Dhe se Shqup-i dhe baltë-hedhësit të cilët nuk kuptojnë faktin e thjeshtë se ky ligj është në të mirën e vendit, po shpifin ndaj qeverisë popull-dashëse.
Në thelb, me pak fjalë, ndërkohë që shpjegimi i qeverisë mbi importin e “miellit” ngrihet mbi vetëbesim të verbër në aftësitë e saj për të qenë ndryshe nga qeveria e mëparshme, mosbesimi te ky shpjegim buron nga fakti që shumë pak e ndajnë këtë vlerësim. Dhe kjo është kritika më e fortë që mund t’i bëhet asaj.
Pra, qeverisë po i vihet në pyetje vetë arsyeja se përse ajo ekziston kur nuk është e aftë qoftë edhe për gjërat më thelbësore të cilat ka përsipër. Por qeveria përgjigjet vetëm për detajet e ligjit të mbetjeve. Një taktikë po aq efikase sa të mbulosh plehrat me miell. Por, nuk është vetëm verbëria që e bën atë të paaftë të shohë se po konsiderohet gjithnjë e më qenësisht e paaftë – është dhe zgjedhja strategjike e verbërisë si një akt që mund t’i blejë asaj kohë, në mënyrë që t’ia hedhë edhe kësaj here.
Injorimi i kritikave dhe trajtimi i njerëzve si foshnje të paditura është tashmë një praktikë e përditshme. Mjafton t’i hidhet një sy i thjeshtë debatit të Ramës me protestuesit në faqen e tij në Facebook për të kuptuar se sa pak i vlerëson ai ata të cilët qeveris. Ndërkohë që njerëzit bëjnë kritika mëse të logjikshme apo shprehin frikën e tyre për aktet e qeverisë, zoti Rama shpesh zgjedh t’i poshtërojë duke treguar inteligjencën e tij (superiore) dhe, akoma më problematikja, duke korrigjuar gramatikën e personave të cilët i kërkojnë përgjigje në të vetmen mënyrë që dinë.
Tashmë, shqetësimi me nivelin e edukimit në vend është diçka që e ndajmë të gjithë – është më tepër se shqetësues fakti që njerëz mbarojnë qoftë dhe universitetin dhe nuk dinë të shkruajnë në mënyrë korrekte. Për këtë, shihni deklarata nga zyra të ndryshme qeveritare. Por çështja e shkrimit në mënyrë korrekte është një temë mjaft e ndërlikuar. Ajo ka të bëjë me demografinë e personave, me statusin e tyre social dhe ekonomik, me aftësitë e tyre personale, me nivelin e shkollës, si dhe me faktin që shumë prej shqiptarëve janë emigrantë dhe si të tillë nuk e zotërojnë shqipen siç duhet.
Por, nëse ne të tjerët shqetësohemi dhe në shqetësim vëmë në pah gabimet e shumta gramatikore të bashkëkomunikuesve, nuk jemi drejtpërdrejtë (apo kryesisht) fajtorë për këtë status fatkeq. Edi Rama gjithashtu nuk është fajtor për mjerimin e arsimit në vend pasi kjo filloi përpara tij, por ai është sigurisht fajtor që jo vetëm nuk e ka përmirësuar atë, por po e përkeqëson. Ashtu si paraardhësit e tij, ai po shkatërron arsimin publik me reforma që edhe vetë ministria e tij nuk po i kupton, si dhe po lufton që një pjesë të madhe të asaj pjese së vockël të buxhetit që i takon arsimit t’ia kalojë privatëve (të cilët, fare rastësisht, i thurrin më pas lëvdata në shtyp).Për më tepër, tekstet shkollore të miratuara nga qeveria e tij përmbajnë aq gabime gramatikore sa është vështirë të shpresosh se brezat e ardhshëm do të dinë të shkruajnë, jo më të jenë gramatikisht korrektë.
Me pak fjalë, talljet me problemet gramatikore nga njerëz të thjeshtë janë gjithsesi pa shije, por të kuptueshme. Tallja nga dikush që po e përkeqëson këtë problem është thjesht e patolerueshme. Ashtu siç është e patolerueshme edhe ironia se si zoti Rama kërkon shkollë nga komentuesit dhe shqiptarët e thjeshtë, ndërsa nuk ka asnjë kërkesë të tillë nga zyrtarët e tij. Por edhe sikur kjo ironi të mos ekzistonte, fakt është që nuk duhet shkrim e këndim për të dalluar gënjeshtrat e qeverisë, për të përjetuar nivelin e jetesës në rënie, apo për të pasur të drejtën e kërkesës së llogarisë nga shërbëtorët publikë.
Fakti që zoti Rama u përgjigjet kritikëve—praktikë e cila u shumëfishua pas kalimit të ligjit të miellit—nuk është shenjë respekti për mendimin kritik ndaj qeverisë: ajo është shenjë frike. Dhe kjo është gjë e mirë. Pavarësisht atyre që ai shpreh nëpër media, ai duhet të jetë i vetëdijshëm se po humbet mbështetje nga dita në ditë. Por duke qenë se ato politika dhe kontrata që ne nuk dimë (jo për arsye kapaciteti, por për arsye transparence) duhet të jenë më të rëndësishme se sa mbështetja e popullit, ai është i gatshëm të rrezikojë të përballet me protestat tona për interesat e veta. Kthimi i përgjigjes ndaj komentuesve është pastaj një taktikë për të qetësuar mjaftueshëm ujërat në mënyrë që as kontratat të mos rrezikohen, dhe as protestat të mos përbëjnë rrezik.
Si përfundim, qeveria refuzon çdo argument apo fakt, ndërkohë që kërkon ta besojmë edhe kur thyen premtimet e saj, edhe kur ndryshon faktin sipas vaktit, edhe kur faktet që na propozon kërkojnë një matematikë imagjinare për të pasur kuptim, edhe kur censuron ata prej nesh që guxojnë të sjellin argumente të bazuara në fakte. Besimi, këtu është i njëanshëm: jemi ne, që nuk kemi asnjë interes për të shpikur ndaj qeverisë, ata që duhet të besojmë se ajo, mbushur me konflikte interesi me çdo kontratë që nënshkruan, vepron thjesht për të mirën tonë.
Por, ashtu si shkruajta në fillim të artikullit, kjo sjellje e palogjikshme e qeverisë është një zhvillim i mirë. Disa muaj më parë, ishte e paimagjinueshme të konceptoje një revoltë popullore të organizuar dhe konstante ndaj elitës politike. Etiketimi i shqetësimeve tona si argumente delirante të ndikuara nga Shqup-i po nxjerr gjithmonë e më në pah faktin se një alternativë jashtë elitës politike mund të mos ekzistojë akoma, por është e vetmja rrugë.
Sa më shumë prej nesh të pranojmë këtë fakt, aq më e mundshme është që persona mes nesh të mendojnë mbi dhe t’i bashkohen një lëvizjeje të re. Nuk jam e sigurt se ky është pikërisht momenti për ta bërë këtë, por që ky moment të arrihet, duhet që presioni i deritanishëm—në rrugë, në blogje, ato pak media që guxojnë, si dhe në faqet sociale të lojtarëve kryesorë—të vazhdojë.
Dhe nëse ia arrijmë, duhet të kemi një mirënjohje ironike ndaj zotit Rama, qeverisë së tij, dhe pasojave të paparashikuara të sjelljes së tyre.