Ministria e Infrastrukturës nënshkroi sot marrëveshjen për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në kaskadën e Drinit të Zi, me investitorin amerikan Bechtel.
Ministrja Belinda Balluku e cilësoi si një vepër me rëndësi të veçantë për sektorin elektro-energjetik, por që do të ndikojë edhe në përmirësimin e situatës së përmbytjeve gjatë dimrit në zonën e nën Shkodrës.
“Skavica është ndryshe nga hidrocentralet e tjerë sepse do të luajë rolin e një rregullatori për HEC ekzistuese,” u shpreh Balluku.
Ajo e përshkroi kompaninë Bechtel si një kompani me eksperiencë që “di të menaxhojë më mirë se kushdo”.
Hidrocentrali i Skavicës është vepra energjitike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë – duke u bërë rezervuari më i madh në Europë.
Qeveria ka hapur disa herë tenderin për ndërtimin e Skavicës, por ka dështuar të finalizojë një kontratë dhe është akuzuar disa herë për klientelizëm e korrupsion.
Qasja me hidrocentrale të vogla, përkrahur nga ish-ministri Ahmetaj, garantonte fitime të shpejta për investitorin, por eleminonte përfitimet në interesin publik për rregullimin e kasakadës së Drinit.
Tashmë do të ndërtohet një hidrocentral i vetëm, që do të jetë në pronësi të KËSH-it de facto, përfitimet e së cilës i kemi shpjeguar ketu.
Në vitin 2016, qeveria miratoi ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla nga dy kompani turke, në ksuhte të mungesës së trasparencës dhe shtyrë nga një projekt i pakërkuar nga kompanitë vetë.
Ajo ngjalli kriticizëm pasi i dhuroi kompanive 8 pikë bonus në procesin e prokurimeve, e cila në dritën e negociatave të zhvilluara, krijoi dyshime të arsyeshme për marrëdhënie klienteliste.
Vetë kompanitë në intervista shpreheshin të bindura që do të fitonin dhe madje, kishin në plan privatizimin e hidrocentraleve të vogla përreth kaskadës së Drinit.
Por, ky projekt, fatmirësisht, nuk u realizua dhe në fund të majit të vitit të kaluar kryeministri Rama deklaroi se hidrocentralin e Skavicës do ta ndërtonim “me forcat tona”.
Vetëm 4 muaj më vonë, ai do të njoftonte se hidrocentrali i Skavicës do të ndërtohej me fonde të qeverisë amerikane.
Ndërkohë, kompania Bechtel, në bashkëpunim me kompaninë turke të ndërtimit Enka, ka ndërtuar në rajon autostradën Prishtinë-Shkup dhe Shqipëri-Kosovë.
Ajo po ashtu kërkon të investojë në Serbi në fushën e energjisë së rinovueshme.