Më 10 dhjetor përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel. Këtë e konfirmoi të premten në Bruksel Peter Stano, zëdhënës në BE për politikë të Jashtme dhe Siguri.
“Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, pa dhënë detaje mbi temat që do të diskutohen.
Stano këtë refuzim për të dhënë detaje e ka arsyetuar me fjalët se “nuk është praktikë që shumë ditë para takimit ta bëjë publike agjendën”.
Takimi i fundit i zhvilluar për dialogun Kosovë-Serbi u zhvillua më 29 nëntor në Bruksel kur palët diskutuan për pretendimet financiare dhe pronësore mes tyre.
Dialogu mes dy vendeve ka për qëllim përmirësimin e marrdhënieve ekonomike politike mes dy vendeve.